English

Ngjela: “Lopa” METE, mund të milet vetëm prej LSI

Tiranë, 15 janar 2011, NOA- Përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar Spartak Ngjela reagoi edhe njëherë lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti. Gjatë fjalës së tij, ai tha se, që nga momenti kur është publikuar videoja korruptive krerët e kësaj qeverie kanë rënë në një nivel mediokër. “Ministria e Saliut, ministri i Saliut, zv. Kryeministri i Saliut, kurse inçizimi është i opozitës, në një kohë që ministri ka denoncuar, turp. Përsëri LSI-së i dhanë Ministrinë e Ekonomisë, do të thotë që kjo lopë duhet të milet vetëm prej saj, do të thotë që do të vazhdojë abuzimi. I bëj thirrje shërbimit informativ të jetë i qartë, i saktë dhe koherent në ndjekjen e kësaj çështjeje. Kurse në datën 21 të gjithë shqiptarët duhet të vinë këtu për tu përgjigjur në një mënyrë historike abuzimit tërësor të një qeverie të paligjshme”, deklaroi ai. Më tej Ngjela theksoi se nuk ka heqje dorë nga imuniteti, pasi sipas tij, imuniteti është nen kushtetues 73 fraksion 2. “I bëj thirrje dhe do ti kërkojmë grupit parlamentar të PS të iniciojë në parlament abrogimin e këtij neni. Të gjitha të tjerat janë gënjeshtra. Nuk ka prokurori që pranon shkeljen e kushtetutës me vullnetin tënd. Nga asnjë e drejtë kushtetuese nuk hiqet dorë. Le ta abrogojnë nenin 73 pika 2 të kushtetutës. Ai është seriozitet, të gjitha të tjerat tregojnë frikë”, theksoi përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme ai tha se, Opozita e Bashkuar nuk imponon, sipas tij opozita i ka kërkuar popullit të imponohet dhe kur të imponohet populli kjo është forcë e popullit. “Shqipëria shpëton vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Ngjela. a.y/NOA

KOMENTE