English

PD: Rama përdori videon si hanxhar politik ndaj kryeministrit

Tiranë, 15 janar 2011, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi akuzoi sot kryesocialistin Edi Rama si strumbullari i korrupsionit në vend, i cili me videon e montuar kërkoi të akuzonte e më pas të rrëzonte kryeministrin Sali Berisha, me qëllimin e vetëm që të marrë pushtetin. Halimi risolli në vëmendje se “Edvin Kristaq Rama u paraqit dy herë në dritaren e partisë së tij me fytyrë të nxirë sterrë i tmerruar nga aferat kriminale që i dalin çdo ditë, dhe u deklaroi shqiptarëve se video, që i kishte dorëzuar njeriu që pak muaj më parë e akuzoi se e ka gjetur në zyrë disa herë duke marrë drogë të kushtueshme 3 mijë euro dhe lakuriq në oborrin e tij, nuk është e montuar”.

Deputeti i PD-së tha se “në psikologjinë e tij, Edvini i Kiços së bllokut mendon se njerëzit nuk kanë sy dhe nuk e panë se ai kishte prerë 33 sekonda të videos së regjistruar, dhe konkretisht nga minuta 13.29.43 në minutën 13.30.03 vetëm e vetëm që të mund të akuzonte Kryeministrin e vendit”.

Dje Edvin Kristaq Rama, tha Halimi, “mashtroi popullin duke mbrojtur çakallin që zbatoi urdhrin e tij, për videon, të cilën Rama e shpërfytyroi nga mjet informimi në hanxhar politik.

Halimi theksoi se me këtë akt të shëmtuar Edi Rama dëshmoi, se është i aftë të ndërmarrë çdo montim e trillim, për të luftuar kundërshtarët e tij, siç bëri ndaj kryeministrit Berisha me videon në fjalë.

“Kultivar i fundit i bunkerit të bllokut harron, se videon, që të serveri njëri që pak muaj më parë do të akuzonte për drogaxhi dhe që të kishte gjetur lakuriq në oborrin e tij të shtëpisë në Pezë, e kishte në dorë kundërshtari yt politik Sali Berisha dhe ta serviri ty si ushqim, i sigurtë se me moralin e çimkës nuk do bëje gjë tjetër veçse fallsifikimin dhe manipulimin si montazhier mjeran i pashpresë që je”, tha Halimi duke shtuar se “Ky montator dhe falsifikator mendon se shqiptarët i besojnë atij se nuk është ai që bojkotoi parlamentin e që ndërmori greva urie dhe protesta e që shpërndau letra nga të katër anët për të bllokuar vizat dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, por shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.

mit/NOA

KOMENTE