English

Meta: Faktet e mia do të provojnë se video është përgjim e provokim kriminal

Tiranë, 18 janar 2011, NOA Update – Pas publikimit të dokumenteve një ditë më parë në parlament, kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaroi se dokumentet në fjalë vërtetojnë se i gjithë përgjimi kriminal dhe i paligjshëm në videon e regjistruar Meta-Prifti ishte tërësisht i provokuar. Këtë sipas Metës , e vërteton edhe montazhi i deritanishëm, por do të vërtetohet edhe gjatë hetimit të prokurorisë. Në një konferencë të posaçme për mediat kreu i LSI-së dhe ish-numri 2 i qeverisë Berisha, theksoi se “Sikurse ju e dini, pretendohet edhe nga ajo lloj bisede që është paraqitur me titra, që është bërë ndërhyrje për zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Apelit, që gjoja nuk ekzistonte, apo njëkohësisht, që sipas ish-ministrit, nuk ishte protokolluar në Ministrinë e Ekonomisë, dhe madje që kërkonte t’ia çonin dorazi”. “Këtu është e gjithë praktika, kartela shoqëruese e praktikës së kërkesës së përsëritur nga ana e kompanisë në fjalë ndaj ish-ministrit, ku i bëhet e qartë, dokument që është nisur në datën 5 janar 2010 nga përfaqësuesit e kompanisë në Ministrinë e Ekonomisë, dokument që është protokolluar në 3 shkurt dhe memo, e cila në 5 shkurt mban disa shënime, ku është edhe shënimi i ish-ministrit për këtë kërkesë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për vazhdimin e procedurave, që ishte i formës së prerë, ku thuhet shumë qartë disa elementë, përveç të tjerëve”, informoi zoti Meta duke sqaruar edhe pjesë nga letra ku thuhet “Zoti Ministër, u mbushën tre vjet që kjo shoqëri është angazhuar dhe po investon konform ligjin për ndërtimin me konçension të HEC-eve mbi lumin Gostimë-Shushicë-Elbasan. Investimi dhe shpenzimet e kryera deri tani nga aksionerët e shoqërisë e kalojnë shifrën 700 mijë euro”. Sipas metës në dokumentacionin e publikuar mbrëmë në parlament bëhet e qartë se shoqëria ka në përbërjen e saj si aksionerë edhe tre kompani të huaja nga Hungaria, të cilat pas tre vjet pritjesh dhe zvarritjesh kanë paralajmëruar ortakët nga Shqipëria për dorëheqjen e tyre. “Kjo do të shkaktojë një tjetër dëm të pazëvendësueshëm për palën shqiptare. Dhe përfundon: Lutemi, vlerësoni vendimin e formës së prerë të Gjykatës dhe ndërhyni me autoritetin që ju jep ligji, z. Ministër, për të përshpejtuar procesin. Bashkëlidhur keni vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë, me numër 265, datë 10 shtator 2009”, bëri me dije Meta. Gjithashtu ai ka paraqitur për mediat edhe vendimin e Gjykatës së Apelit, të datës 10 shtator 2009, pra sipas Metës, një vendim i marrë gjashtë muaj para përgjimit ose tre-katër muaj para se kjo kërkesë, të protokollohej në Ministrinë e Ekonomisë, për të cilën sikundër deklaroi Meta, ish-ministri Dritan Prifti një muaj para përgjimit, në bisedën e përgjuar bën sikur nuk di gjë”. Meta shtoi se vendimi i Gjykatës së Apelit e ardhur dhe e protokolluar, i është drejtuar me një shënim për sekretarin e përgjithshëm të METE-s, Durim Kraja, ku thuhet: “Z. Kraja këta kanë fituar gjyqin. Të procedojmë për t’ia vazhduar”. “Kjo është firma e shkurtuar që ai përdorte në shënimet që bënte në memo të tilla. Më parë ka një tjetër shënim në këtë kartelë shoqëruese i bërë nga zëvendësministri drejtues ish-Drejtorit të Drejtorisë përkatëse të asaj kohe, zotit Thomai, ku i drejtohet përgatisni një memo mbi këtë ankesë. Përse nuk po veprohet sipas ligjit?””, zbardhi kreu i LSI-së dokumentacionin në fjalë. “Të gjitha këto tregojnë më së qarti se jo vetëm që biseda është një montazh që do të provohet nga vetë hetimi, por edhe gjithë biseda është një provokim i qëllimshëm, pikërisht për të mbledhur gjoja materiale që do të përdoreshin më vonë për t’i bërë shantazh kryetarit të partisë së ish-ministrit, gjë që tregon, tha Meta se ndërhyrja ime ka qenë për zbatimin e ligjit, për zbatimin e vendimit, sikurse ka bërë vetë ish-ministri Prifti. “Një nga arsyet përse përfaqësuesit në fjalë janë drejtuar tek unë ka qenë edhe për shkak të funksionit si ministër i Jashtëm, ku disa kompani hungareze kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie të përbashkët dhe ku në veçanti njëra prej tyre, Gans Egipt, ishte një kompani shumë e rëndësishme sepse siguronte teknologjinë, turbinat, pra ishte një partner shumë i rëndësishëm për të gjithë këtë vepër, e cila kishte një përqindje prej 6.66 për qind, apo diku prej 7 përqind në rast se kjo gjë ekziston në bisedën e montuar. Këto ishin disa sqarime të thjeshta”, bëri me dije kreu i LSI-së dhe ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, që shtoi se të gjitha dokumentet do t’i dorëzohen hetimit për zbardhjen sipas tij të së vërtetës. Zoti Meta, ju thatë se vendimi i Gjykatës së Apelit ishte marrë para se ju të bënit bisedën. Ndërkohë që nga Gjykata e Lartë thuhet ndryshe, se ky vendim nuk ishte marrë. Gjykata e Lartë, në rastin konkret, nuk ka asnjë lidhje. Ky është një vendim i Gjykatës së Apelit, i formës së prerë, për çështjen e procedurave, për vazhdimin e procedurave. Vendimi i tjetër që bëhet fjalë është për gjykimin e çështjes në themel, nuk ka lidhje në këtë vendim, dhe sipas këtij vendimi duhet të vazhdonin procedurat. Edhe shënimi i ish-ministrit është i qartë. Këta e kanë fituar gjyqin. Të vazhdohen procedurat. Pra, bëhet fjalë për vendime të ndryshme, për aspekte krejt të ndryshme. Dhe tjetra, ky vendim nuk është apeluar nga askush më pas në Gjykatën e Lartë dhe Gjykata e Lartë nuk ka pasur asnjë çështje në këtë punë. Dhe provokimi i tij për Gjykatën e Lartë ka qenë tërësisht i qëllimshëm. Mendoni se është keqinterpretim apo keqinformim i Kryetares së Gjykatës së Lartë për këtë çështje? Mendoj se edhe ajo nuk e ka të qartë këtë çështje, sepse nuk është një çështje që i ka interesuar, ashtu sikurse edhe unë, të them të drejtën, nuk kam qenë i përqendruar, sepse natyrisht vetë evidentimi i kësaj çështje ka bërë të mundur thellimin në të dhe vërtetimin të praktikës dhe të konfirmimit të asaj që kësaj kompani, në mënyrë të padrejtë, i është zvarritur ky proces. Kësaj kompanie, në mënyrë të padrejtë nuk i është dhënë përgjigja e duhur, për ata çka ka kërkuar sipas Gjykatës së Apelit në atë kohë. Kjo është e gjitha çështja dhe e gjithë historia. Zoti Meta, kur do t’i çoni këto fakte në Prokurori? Sigurisht që Prokuroria ka të gjithë të drejtën e saj për të bërë një hetim të plotë të kësaj çështjeje dhe të çdo çështjeje tjetër, dhe natyrisht që unë jam i bindur që i gjithë ky hetim do të provojë edhe njëherë tjetër një përgjim të paligjshëm, një përgjim kriminal, një përgjim të provokuar, një montazh vërtet të shëmtuar, i cili do të tregojë qartë që ka një shpërdorim detyrë nga ish-ministri dhe ka një provokim për shkak të detyrës nga Ilir Metës. mit/NOA

KOMENTE