English

Milano, mbështetje të gjithanshme për integrimin

Milano, 18 janar 2011, NOA - Gjatë vizitës së tij në Milano, ku mori pjesë në forumin ekonomik Shqipëri- Itali, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Provincës së Milanos, Guido Podesta, të cilin e garantoi për mbështetjen e qeverisë shqiptare në zhvillimin e bizneseve italiane për të bërë të mundur, sikundër citohet të ketë thënë ai, që këto biznese të kthehen në histori suksesi. Në njoftimin e zyrës së shtypit të qeverisë, bëhet me dije se nga ana e tij, Presidenti Podesta e konsideroi si sukses dhe shenjë interesi të lartë pjesëmarrjen e gjerë të investitorëve lombardë në këtë aktivitet. Podesta theksoi se provinca e Milanos ka përqendrimin më të madh të bizneseve dhe shprehu interesin që së shpejti të organizohet në Shqipëri një forum i ngjashëm me prezencën e zgjeruar të bizneseve të provincës së Milanos. Presidenti Podesta në takimin me kryeministrin Berisha theksoi se mbështetja e provincës së Milanos do të jetë e gjithanshme, si politike dhe ekonomike në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan si shumë të rëndësishme forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Podesta për ndihmën dhe mikpritjen e ofruar ndaj komunitetit shqiptar që ndodhet në provincën e Milanos. Kryeministri e vlerësoi, gjithashtu organizimin e këtij aktiviteti në Milano me sipërmarrësit milanezë si një mundësi shumë të mirë për prezantimin e mundësive që ofron Shqipëria ndaj biznesit milanez. Shefi i qeverisë bëri edhe një ekspoze të potencialeve ekonomike që ofron Shqipëria, si dhe regjimin e favorshëm fiskal dhe rregullator, që ofron ajo për zhvillimin e biznesit të huaj. mit/NOA

KOMENTE