English

Prokuroria: Pranga shefit të policisë e administratorit, akuza për korrupsion e vjedhje

Fier, 18 janar 2011, NOA – Me akuzën për korrupsion e vjedhje duke shpërdoruar detyrën janë prangosur sot në Fier një shef policie i Patosit dhe administratori i një shoqërie private. Sikundër bën me dije Prokuroria arrestimet erdhën falë zbatimit të urdhër ekzekutimit të Prokurorisë së Fierit, gjatë të cilit uniformat blu të qytetit të Fierit arrestuan shefin e postës së policisë së Patosit 35-vjeçarin Gerjan Kondi lindur dhe banues në Fier, i cili punonte pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit si dhe shtetasin Vladimir Çilotaj i datëlindjes 12.9.1968, lindur dhe banues në Fier, i cili ishte administrator i shoqërisë “Lladi 2008” me qendër në Fier. Arrestimi i dy personave në fjalë u krye në kuadër të hetimeve disa mujore të kryera nga Prokuroria e Fierit. Mbi shefin e policisë Gerjan Kondi dhe Vladimir Çilotaj rëndojnë veprat penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, të vjedhjes në bashkëpunim më shumë se një herë me pasoja të rënda, të pastrimit të produkteve të veprës penale, sigurimit të mjeteve për vjedhje si dhe përvetësimit të mallrave të vjedhura. Prokuroria informon se dy të arrestuarit, në mënyrë të vazhdueshme realizonin vjedhje të karburanteve të llojit naftë bruto në pronësi të Albpetrol-sha Fier. Gjithashtu organi i akuzës thekson se hetimet për rastin në fjalë vazhdojnë, pasi dyshohet për përfshirje në këtë aktivitet kriminal edhe të personave të tjerë për të cilët po bëhen hetime nga Prokuroria e Fierit. Ndaj shtetasve të arrestuar është vendosur masa e sigurimit arrest në burg. mit/NOA

KOMENTE