English

Befasia e radhës

Nga Albin Kurti Në vitin 2001 nuk po arrihej të formohej qeveria pas zgjedhjeve të para të pasluftës në Kosovë. U nevojit intervenimi dhe dirigjimi i kreut të atëhershëm të UNMIK-ut, Michael Steiner, që të sajohej bashkëqeverisja LDK-PDK-AAK. Pra, ndodhi ajo që më së paku pritej e duhej të ndodhte. Tri partitë kryesore u bënë bashkë në qeverisje pasi që s’kishin lë gjë pa thënë për njëra-tjetrën. Votat nga qytetarët i kishin marrë ndaras, dhe votat e shumë qytetarëve për liderë të caktuar, në fakt, kishin qenë vota kundër liderëve të tjerë të caktuar. U bënë bashkë të tri këto parti dhe pragu për formimin e qeverisë në Kuvendin e atëhershëm u tejkalua shumë më tepër seç nevojitej. Pluralizmi politik e la Kosovën pa opozitë. Tri vjet më vonë, Qeveria pasuese ishte sërish kombinimi më i papritur: LDK-AAK. Nuk mendohej që AAK-ja do të ndahej kollaj prej PDK-së e të lidhej me kundërshtarin kryesor të saj. Por, nuk vonoi shumë dhe PDK-ja nuk u la anash meqë u përfshi në Ekipin Negociator që funksiononte si një qeveri mbi qeverinë. Kosova përsëri mbeti pa opozitë në institucionet e saj. Tri vjet të tjera më vonë, pas zgjedhjeve të vitit 2007, edhe njëherë u sajua koalicioni më i papritur, kësaj radhe, ai i ‘armiqve’ të përbetuar: PDK-LDK. Koalicioni i madh i dy partive kryesore e vazhdoi traditën e vjetër të institucioneve pa opozitë reale në to. Si gjithnjë, kjo arsyetohej me sfidat e mëdha të përbashkëta përpara nesh dhe me brishtësinë e institucioneve të reja (sic.). Çdo herë para zgjedhjeve këto parti politike i dramatizonin dallimet edhe aty ku ato s’ekzistonin. Pas zgjedhjeve i shuanin dallimet edhe atëherë kur ato ishin aty. Dramatizimet eventuale të dallimeve pas zgjedhjeve ishin veçse në shërbim të rritjes së pazarit të partive para njëra-tjetrës e për njëra-tjetrën, gjithmonë para koalicionit me njëra-tjetrën. Mosmarrëveshjet për poste nuk zgjasnin shumë dhe s’ishin asnjëherë fatale. Sepse shpikeshin poste të reja dhe kombinimi i pozitave me favore anësore sillte solucione të pranueshme. Vetëm mosmarrëveshjet konceptuale e ideopolitike nuk urëzohen dot. Këto të tjerat ishin gjithsesi të tejkalueshme. Ndërkombëtarët ishin përherë të lumtur sepse ruhej stabiliteti formal që, në të vërtetë, ishte stabilitet i mjerimit për shumicën e qytetarëve dhe stabilitet i korrupsionit për pakicën prej pushtetarëve. Që të gjitha këto parti e donin pozitën (në qeveri) jo vetëm për shkak se e donin pushtetin, por edhe për shkak se ato vetëm sa dobësoheshin duke qëndruar në opozitë. Ngaqë nuk kishin dallime themelore me pozitën te programet politike a orientimet konceptuale, partitë opozitare sadopak që qëndronin në opozitë, vetëm sa rrudheshin e zvetënoheshin. Duke mos qenë pozitë dhe duke mos mundur ta bëjnë opozitën, partitë opozitare diskreditoheshin me shpejtësi. Zaten, pasi që të jesh pajtuar me pozitën për decentralizimin mbi baza etnike, për privatizimin neoliberal, për tolerimin e strukturave dhe mallrave të Serbisë në Kosovë, për negociatat me Serbinë, për shuarjen e TMK-së, për ndryshimin e flamurit e himnit etj.etj., ankesat opozitare për arrogancën qeveritare pak kujt i bëjnë përshtypje. Institucioneve të vendit tonë josovran nuk iu ka munguar pozita por opozita e brendshme. Doktrina e protektoratit ndërkombëtar për stabilitet afatshkurtër vazhdimisht i do të gjithë së bashku, i do të gjitha partitë bashkë në pozitë, pa opozitë fare ose me opozitë sa më të vogël. Mirëpo, s’ecet dot përpara pa opozitë. Shtetin nuk e bën demokratik pozita e pakontestueshme por opozita e fuqishme. Kosovës më shumë se kurrë i nevojitet opozita. Mirëpo, krejt çfarë u tha më lartë për zgjedhjet e qeveritë e kaluara vlen edhe sot e kësaj dite. Pikëpamja dominuese është që, pa marrë parasysh vjedhjet masive në zgjedhje, të kemi qeveri stabile para dhe përgjatë sfidave që nuk duhet ta destabilizojnë Kosovën. Sfidat janë, si përherë, shitja e ndërmarrjeve publike dhe rifillimi i negociatave me Serbinë. Rrjedhimisht, në vijim do të shtohet trysnia mbi LDK-në që të hyjë në koalicion me PDK-në. Rrethanë lehtësuese për këtë është koalicioni i deritanishëm trevjeçar i këtyre dhe ideja e qeverisë teknike që tregon se LDK-ja nuk e sheh problemin te bashkëqeverisja me PDK-në sa te roli prijës i kësaj të fundit në koalicion. Formula e fushatës parazgjedhore ‘as-as’ kollaj do të mund të shndërrohet në ‘edhe-edhe’. Prandaj, koalicioni PDK-LDK-minoritetet, koalicioni PDK-LDK-AAK-AKR, apo edhe ai PDK-LDK-AAK-minoritetet gjithsesi janë të mundshme në pranverë. Gjasat më të mëdha se cila prej këtyre do të ndodhë varet se cilën e konsideroni si më të pabesueshmen dhe mu ajo do të ngjajë pastaj. Se mos bëhet fjalë për parime këtu?!

KOMENTE