English

Berisha: Të mërkurën, miting paqësor në kryeqytet

Tiranë, 22 Janar 2011 NOA - Kryeministri Sali Berisha ka lajmëruar sot në mesditë për organizmin e një mitingu paqësor ditën e mërkurë në qendër të Tiranës.

Ai ka ftuar qytetarë nga gjithë vendi, pavarësisht bindjeve politike, siç tha ai për të marrë pjesë në këtë miting paqësor dhe kundër dhunës.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, që të bashkohemi në Tiranë ditën e mërkurë në një manifestim të fuqishëm paqësor kundër dhunës dhe për paqen”, - tha Berisha.

Ai sqaroi se qëllimi i mitingut është që “të japim mesazhin që pret nga ne bota e qytetëruar, në mënyrë që efektet e shëmtuara të akteve të djeshme të fshihen mundësisht sa më shpejt nga memoria”.

Berisha pohoi se “me aktet e tij Edvin Kristaq Rama që del çdo orë dhe lexon të njëjtin tekst, ndihet i lehtësuar sepse, edhe në rast se dështoi për të marrë karrigen, mendon se me dëmtimin e imazhit të Shqipërisë ia doli që të dekurajojë turizmin masiv që do të vërshojë gjatë këtij viti në Shqipëri. Ai mendon se ia doli të dekurajojë investimet e mëdha që po ndodhin dhe do të ndodhin”.

Këtu Berisha konkludoi: “Por le t’ia lëmë atij të gjitha këto ëndrra dhe projekte të kobshme në kokën e tij të sëmurë. Ne të vazhdojmë të bashkohemi në një miting të madh, nga mbarë Shqipëria, ditën e mërkurë. Për orën dhe sheshin do të njoftohet shumë shpejt”.

e.r/NOA

KOMENTE