English

Katragjini: Policia mbrojti rendin me profesionalizëm

Tiranë, 22 janar 2011, NOA – Disa orë pas demonstratës së opozitës në Tiranë, e cila shënoi katër të vdekur në radhët e demonstruesve dhe dhjetëra të plagosur mes tyre e mes forcave të policisë, Policia e Shtetit ka vlerësuar sot qëndrimin e forcave të saj duke bërë të ditur se uniformat blu kanë shmangur çdo lloj provokimi të bërë nga demonstruesit duke mbajtur një qëndrim profesional e të drejtë në mbrojtje të institucionit të kryeministrisë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini duke bërë një përmbledhje të të gjithë asaj çka ndodhi në kryeqytetin shqiptar, duke e kthyer atë dhjetë vjet pas në kohë, theksoi se “Grupe demonstruesish të nxitur nga organizatorë të demonstratës goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike”. Katragjini rishtas ka përsëritur se disa dhjetëra demonstrues tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Kryeministrisë, duke përdorur bomba molotov, si dhe mjete të tjera zjarrvënëse dhe shpërthyese, gurë, etj. “Policia e Shtetit ruajti gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe ka vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke iu shmangur çdo provokimi të bërë”, tha zëdhënësja e policisë. Sipas Katragjinit si rezultat i një situatë të rëndë të degjeneruar në dhunë janë plagosur 44 policë, në përpjekjen sipas saj, që një grup demonstruesish bënë për të hyrë me forcë në selinë e qeverisë. Ndër demonstruesit mësohet se janë ndaluar nga policia mbi 100 vetë. mit/NOA

KOMENTE