English

Meta: Daljet e Ramës, për t’u mbrojtur nga masakra që kreu

Tiranë, 22 Janar 2011 NOA Ervin Tirana Update - Edi Rama të heqë dorë nga përpjekjet e tij për të përfshirë në komplotin e tij kundër institucioneve dhe për dekurajimin e institucioneve përfaqësues të institucioneve të pavarura. Absolutisht që përgjegjësi kryesor për gjithçka është Edi Rama dhe do të jetë Edi Rama.

Thirrja dhe paralajmërimi i fortë erdhën nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili kritikoi sot Edi Ramën se daljet e tij në media janë një plan i posaçëm i tij për të hequr vëmendjen nga faji që rëndon mbi të për atë që Meta e cilësoi masakra e 21 janarit në bulevardin qendror.

Duke theksuar po ashtu, se pret që prokuroria të bëjë hetimet në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë të plotë, z.Meta paralajmëroi:

“Cilido që do të jetë rezultati i prokurorisë, sepse kjo është një çështje e saj dhe ne duam të respektohet ligji, përgjegjësia politike dhe jo vetëm për të gjithë atë bilanc tragjik i takon Edi Ramës. Sepse ai bëri thirrje për demonstratë të pakontrolluar, ai bëri thirrje të hapur për dhunë kundër institucioneve, u paralajmërua nga të gjithë dhe përsëri i shkoi deri në fund skenarit të tij ogurzi dhe nuk shpëton dot Edi Rama nga përgjegjësia e djeshme politike, morale dhe ligjore, sot nesër dhe gjithmonë. Banditë të tillë nuk mund të ketë më politikë shqiptare”.

Në vijim, z.Meta tha se Edi Rama pasi u përpoq për muaj të tërë të rrëzonte në mënyrë mafioze në parlament një qeveri legjitime, pasi u përpoq të blinte deputetë të mazhorancës dhe të bënte oferta për të zëvendësuar një qeveri me një marrëveshje politike me deputetë të blerë dhe të akaparuar pikërisht duke qenë në fundin e tij si politikan, duke humbur çdo lloj logjike alternative dhe përgjegjësie politike, iu drejtua krimit të organizuar për të mobilizuar gjithë krimin, edhe atë ordiner të cilin e patë dje se si sulmonte dhe dhunonte policinë, se si sulmonte dhe dhunonte dhe donte të pushtonte Kryeministrinë. Se si dje në bulevardin e Tiranës fytyra e dhunës nuk ishte fytyra e kriminelëve të financuar nga Edi Rama dhe enturazhi i tij kriminal, por ishte vetë fytyra e Edi Ramës i cili paralajmëroi dhe bëri thirrje për demonstratë të pakontrolluar, i cili për 4 orë qëndroi në prapaskenë duke çuar në terren përfaqësuesit e tij, të cilët sa herë që kontaktonin me kontingjentet kriminale vetëm sa shkaktonin valë të reja të sulmit dhe të goditjes ndaj institucioneve.

Më pas z.Meta tha: “Edi Rama doli para medieve vetëm kur mori vesh se bilanci i kësaj dhune ishte me viktima për të shmangur përgjegjësinë e tij e cila është publike e cila është e paevitueshme, e cila është kriminale, e cila është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë të paktën e këtyre 13 viteve të fundit. Edi Rama doli para medieve për t’u thënë të gjithëve dhe për t’i bërë budallenj të gjithë qytetarët shqiptarë, se ishin provokuar halabakët e tij, kriminelët e tij nga makinat me ujë, kur të gjithë e panë se për gati një orë banditët, kriminelët, kokëpalarët, të droguarit e Edi Ramës dhunuan sulmuan me ç’patën mundësi policët e këtij populli, të cilët janë njerëz, të cilat janë familjarë, të cilët kanë fëmijë, të cilët kanë kushërinj, të cilët kanë farefis dhe që duruan, që u vetëpërmbajtën, që u vetësakrifikuan pikërisht për të mos dëmtuar halabakët, kriminelët, të cilët donin të merrnin dje pushtetin.

Sepse kështu u ishte premtuar të gjithë atyre që u sollën në Tiranë se dje do të merrej pushteti nga Edi Rama. Prandaj duke i kërkuar këtij bastardi, i cili nuk ka më asgjë politike, i cili e zëvendësoi Partinë Socialiste me krimin e organizuar dhe ordiner, i cili ndyu dje Tiranën, i cili gjakosi dje Tiranën, që të heqë dorë një herë e mirë nga shantazhet ndaj institucioneve të shtetit, të heqë dorë nga përpjekjet e ti për të implikuar në këtë puç edhe përfaqësues të institucioneve të pavarura. Ta dijë mirë se nuk mund të marrë pushtet me dhunë as Edi Rama dhe askush tjetër në Shqipëri, dhe aq më tepër me falangat e krimit të organizuar dhe të krimit ordiner. Unë shpreh keqardhjen dhe dhimbjen më të thellë për tre qytetarët që kanë humbur jetën dje në kryeqytet gjatë këtyre trazirave dhe gjatë kësaj dhune që nxiti, frymëzoi dhe sponsorizoi Edi Rama dhe enturazhi i tij kriminal dhe ne kërkojmë që të bëhen hetime të plota dhe të pavarura por në çdo rast përgjegjësia për gjithçka ka ndodhur dje në Tiranë i takon Edi Ramës. Këtij burracaku, që mobilizoi të gjithë kontingjentet kriminale për t’i sjellë kundër shtetit, i cili i financoi, u dha mbrojtje politike dhe vetë u fsheh derisa të merrte lajmin për viktimat që duhej patjetër të kishte kjo dhunë e mirëorganizuar nga Edi Rama”.

e.r/NOA

Thënia:

“Çdo forcë politike e papërgjegjshme, mund të organizojë, mund të financojë, mund të drogojë një grup prej 1000 rrugaçësh e kriminelësh, që janë gjithnjë të gatshëm të përplasen me policinë dhe shtetin. Por kurrsesi në Shqipëri nuk mund të lejohet të vendoset një precedent dhe një standard i tillë. Dje e gjithë Shqipëria, e gjithë Tirana pa se kush është fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Ai sadisti që dhunën e ka pasur pasion edhe ndaj familjarëve të tij, dje nxori fytyrën e vërtetë përmes halakabëve dhe kriminelëve që goditën për orë të tëra institucionet dhe forcat e rendit. Fytyrat e tyre janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës përpara të gjithë shqiptarëve dhe përpara të gjithë botës”

Lexoni gjithçka mbi ngjarjet e sotme

Ngjarjet hap pas hapi 1

Ngjarjet hap pas hapi 2

KOMENTE