English

Vetëvendosje: Keqardhje për ngjarjet tragjike në Tiranë

Prishtinë, 22 janar, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! shprehu përmes një deklarate për shtyp, keqardhje për ngjarjet tragjike në Tiranë ku tre qytetarë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ose u lënduan.

“Me këtë rast, iu shprehim ngushëllimet tona familjeve të të vrarëve dhe ndajmë dhembjen me ta. Të plagosurve e të lënduarve iu dëshirojmë shërim të shpejtë”, citon kjo deklaratë.

Duke shtuar se shqiptarët kudo që janë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Republikën e Shqipërisë, kanë pafund arsye që të protestojnë e demonstrojnë për shkak të jetesës së mjerë që bëjnë, nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe mungesës së perspektivës si qytetarë.

“Kombi shqiptar është më i varfëri dhe me papunësinë me të lartë në Evropë. Politikanët shqiptarë janë më të pasur se gjithë kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse. Në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse sot e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Kjo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës”, citon deklarata.

Duke përfunduar se shqiptarët e pakënaqur, kudo që janë, duhet të organizohen për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjuhën e vullnetit dhe interesit të tyre. Përndryshe, pa organizim politik ka veçse përfitime partiake e humbje kombëtare.

n.e/NOA

KOMENTE