English

Demonstrata, Parlamenti ngre komision hetimor

Tiranë, 23 Janar 2011 NOA – Parlamenti votoi para pak çastesh pa pjesëmarrjen e opozitës, vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të ngjarjeve të 21 janarit 2011 ku demonstrata e organizuar nga opozita degjeneroi në dhunë me pasojë vdekjen e tre personave dhe plagosjen në shkallë të ndryshme të rreth 120 civilëve dhe forcave të rendit.

Vendimi u miratua me 73 vota pro dhe asnjë votë kundër apo abstenim.

Vendimi parashikon hetimin e veprimtarisë së institucioneve për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve për përmbysje të rendit kushtetues dhe masave për parandalimin e ngjarjeve.

Topalli detajoi se Komisioni Hetimor i Kuvendit ngrihet ne menyre te menjehershme, për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të hetuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.

Komisioni me afat tremujor do të hetojë dhe personat që nxitën dhunën që shpërtheu në demonstratë.

Ja pikat e plota te Komisionit Hetimor:

l. Hetimi rreth veprimtarisë së aktorëve të përfshirë për zbatimin e ligjit nr. 8773, datë..3.04.2001 “Për tubimet” në demonstratën e datës 21 janar 2011.

b) Hetimi rreth veprimtarisë së institucioneve shtetërore, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin respektiv, për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve dhe sinjaleve për organizimin e veprimit kriminal për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, si dhe masat konkrete të marra për parandalimin, neutralizimin, pengimin dhe përballimin dhunës gjatë ngjarjeve që shoqëruan tentativën për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.

c) Hetimi rreth veprimtarisë së organeve të zbatimit të ligjit për identifikimin, kapjen dhe neutralizimin, pengimin e ekzekutorëve, identifikimin dhe kapjen e nxitësve dhe organizatorëve të dhunës kriminale.

ç) Hetimi rreth veprimtarisë së organeve të zbatimit të ligjit dhe masave të marra për zbardhjen e shpejtë e të plotë të fakteve, ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ­ideatorëve, ndihmësve dhe bashkëpunuesve, për dhunën dhe tentativën për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.

d) Hetimi i zbatimit të ligjit gjatë hartimit dhe ekzekutimit të detyrave në kuadër të planit të masave që organet shtetërore të ngarkuara me ligj përgatiten dhe zbatuan me qëllim respektimin dhe garantimin e zbatimit të detyrimit ligjor të mbrojtjes së institucioneve kushtetuese të vendit.

dh) Hetimi për masat e marra nga organet e zbatimit të ligjit për neutralizimin përfundimtar të tentativës për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues dhe për garantimin e pa prekshmërisë së institucioneve dhe të të drejtës për tubim paqësor.

e) Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative me qëllim realizimin e një sistemi efektiv të ushtrimit të së drejtës së tubimit paqësor si një e drejtë e pamohueshme në një shoqëri demokratike dhe parandalimit e goditjen efikase të dhunës kundër institucioneve shtetërore si një realitet i papranueshëm në një shoqëri demokratike.

Konfirmohet se hetimi i Komisionit Parlamentar nuk shtrihet për ato çështje dhe rrethana për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar, do të fillojë procedim penal sipas ligjit.

Kryetar i Komisionit do të jetë Eduard Halimi kurse anëtarë të tjerë të mazhorancës janë: Gent Strazimiri, Dashnor Sula, Enkelejd Alibeaj, Fatos Hoxha dhe Viktor Gumi.

Emrat e tjerë i përkasin opozitës.

Më herët sot në 18.30, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli u mblodh Konferenca e Kryetarëve me pjesëmarrjen e kryetarit të Grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Lefter Koka, nënkryetari i Kuvendit Adrian Turku, kryetarët e komisioneve parlamentare, komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Ilir Rusmaili, kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave Edmond Spaho, si dhe kryetari i komisionit të Veprimtarisë, Tregtisë dhe Mjedisit Jemin Gjana.

Konferenca e Kryetarëve, ka diskutuar mbi demonstratat e fundit të dhunshme, mbi rrethimin e Kryeministrisë dhe mbi tentativën për puç shteti. Në detyrim të Kushtetutës dhe të Rregullores, me ardhjen e një kërkese të një projekt-vendimi si dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Hetimin e Veprimtarisë të Institucioneve Shtetërore, për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal, për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit Kushtetues në datën 21 janar 2011.

Gjatë Konferencës, anëtarët e saj diskutuan për mbledhjen e menjëhershme të seancës plenare, në lidhje me situatën e krijuar në vend, pas demonstratave.

Konferenca ra dakord që për shkak të situatës së krijuar, seanca plenare e ditës së enjte të mblidhej këtë të diel, datë 23.01.2011, ora 19:30.

KOMENTE