Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bernd Posselt: Ngjarjet e 21 janarit, mund ta rrezikojnë statusin e kandidatit për BE
English

Bernd Posselt: Ngjarjet e 21 janarit, mund ta rrezikojnë statusin e kandidatit për BE

Berlin, 25 janar, NOA - Bernd Posselt, eurodeputet gjerman i Parlamentit Evropian në grupin parlamentar të Partive Popullore Evropiane (EVP) mbi ngjarjet në Shqipëri.

Zoti Posselt, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Shqipëri? A ishin ato të pashmangshme për shkak të zhvillimeve që u kishin paraprirë?

Për fat të keq situata është e tillë, që opozita shqiptare ndjek prej muajsh një fushatë masive polarizimi. Më duhet të them edhe se krahasimi që bëhet herë pas here midis Tunizisë dhe Shqipërisë është fare pa vend, sepse në Shqipëri ndodh pikërisht e kundërta e Tunizisë. Në Tunizi ishte një opozitë demokratike që bëri një kryengritje kundër një regjimi antidemokratik, në Shqipëri një opozitë jodemokratike, që nuk mund të pranojë se i ka humbur zgjedhjet, bën një kryengritje kundër qeverisë.

Aktualisht kemi një situatë të tillë që në valën e dhunës humbën jetën tri persona. Prokuroria ka nxjerrë disa urdhëra arresti për anëtarë të Gardës së Republikës. Por Policia e Shtetit, që thotë se ka bërë detyrën, nuk i ka zbatuar urdhër-arrestet. Cili është mendimi juaj?

Është natyrisht ekstremisht keq, kur në një demonstratë të tillë njerëzit humbasin jetën. Për këtë bëhen hetime në të gjitha shtetet, ose nga Prokuroria, ose nga Parlamenti ose prej të dyve. Unë nuk i njoh në hollësi rregullat dhe procedurat shqiptare, por që kjo të hetohet është fare normale. Unë jam shumë i trishtuar, që këtu kanë humbur jetën njerëz. Nga ana tjetër më duhet të them se në mediet gjermane kam dëgjuar që të theksohet me forcë se ekziston habi që u krye një demonstratë e tillë e dhunshme masive - ajo ishte ekstremisht brutale dhe e dhunshme- dhe që udhëheqësit socialistë që e organizuan demonstratën as u shfaqën në të. Kjo është shumë e çuditshme.

Në këtë kuadër, a është një hap në drejtimin e duhur që kjo që ndodhi do të hetohet njëkohësisht nga Kuvendi, me një komision hetimor dhe nga Prokuroria, e cila ka nisur hetimet?

Siç e thashë, shpresoj që këtu të mos krijohet një përplasje kompetencash, por që çështja të hetohet është krejt normale. Qeveria shqiptare është një qeveri demokratike dhe e shtetit juridik. Ajo sigurisht që do t'i hetojë në mënyrë shumë të përshtatshme këto ndodhi. Kur heton paralelisht edhe Parlamenti, kjo ndodh në shumë shtete, këtë e bën opozita në shumë shtete. Por kjo nuk duhet të shpërdorohet, për të bllokuar njëri-tjetrin.

Edhe mazhoranca, edhe opozita kanë sinjalizuar manifestime në fund të javës. Cila është rruga e veprimit në situatën aktuale dhe kush duhet të bëjë një hap të parë?

Apeli im ndaj të dyja palëve është i qartë, për ta qetësuar gjendjen. Për ta thënë ndershmërisht unë do t'i lija mënjanë tani manifestimet në të dyja kampet. Për të sqaruar këto gjëra janë zgjedhur parlamente dhe qeveri. E përsëris edhe njëherë: qeveria shqiptare është një qeveri demokratike, e cila ka bërë shumë për vendin në vitet e fundit. Jam i impresionuar si ka lulëzuar Shqipëria vitet e fundit. Ka suksese edhe në politikën e jashtme, me anëtarësimin në NATO dhe në drejtim të BE, me heqjen e detyrimit për viza. Këto janë rezultate pozitive të qeverisë. Ato nuk duhet t'i rrezikojë as opozita, me polemika dhe demonstrata të dhunshme, por edhe qeveria duhet të përmbahet tani dhe të përpiqet të ndjekë rrugën e bisedimeve. Unë e di që kjo është shumë e vështirë dhe tingëllon shumë teorike, por jam absolutisht kundër, që tani të demonstrohet më tej.

A i shihni tani sukseset që përmendët si anëtarësimin në NATO ose liberalizimin e vizave të rrezikuara? Sepse teorikisht mund të ketë njerëz që ta quajnë situatën jo stabile në Shqipëri dhe të paraqesin kërkesa për mbrojtje me azil në BE?

Unë e shoh më pak këtë rrezik, unë shoh një rrezik tjetër: që dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, siç iu dha Malit të Zi, tani të vonohet për Shqipërinë prej destabilizimit. Prandaj unë dua t'i bëj thirrje ndjenjës së përgjegjësisë së opozitës. Opozita e ka dëmtuar përmes përpjekjes së saj jodemokratike për kryengritje, këtë më duhet ta them, reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Unë duhet të them që më mirë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, qeveria me opozitën, në mënyrë që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat, ndryshe ai është i rrezikuar.

A do ta trajtojë Parlamenti Evropian këtë çështje, në kuadër të grupeve parlamentare apo komisioneve?

Unë do të marr pjesë që nesër në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian. Ne kemi atje një sërë temash, që prekin Evropën Juglindore. Nesër është p.sh. raporti im për Kroacinë në rend të ditës, së bashku me tema të tjera. Unë jam raportues për Partitë Popullore Evropiane, EVP, për socialdemokratët është Hannes Swoboda. Ne bashkëpunojmë shumë mirë për Kroacinë. Edhe për Maqedoninë do të flasim nesër. Unë jam i sigurtë që për shkak të gjendjes aktuale, nesër, pasnesër do të luajë një rol edhe tema e Shqipërisë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta penguar një polarizim të mëtejshëm. Por po e them edhe njëherë: opozita duhet të përqendrohet në detyrën e saj demokratike për të bërë opozitë, qeveria në detyrën e saj demokratike për të qeverisur dhe për çështjen e Evropës ato duhet të punojnë të dyja së bashku.

Deutsche Welle

KOMENTE