English

Çfarë (s’)mund të mësojë Maqedonia nga Shqipëria

“Por, mbi të gjitha në Shqipëri ka një qeveri të suksesshme që i solli vendit rritje ekonomike në kushtet e krizës globale, i solli NATO-n, ndërtoi një infrastrukturë moderne rrugore dhe ndikoi që Shqipëria të jetë më afër rajonit, ndërkohë që në Shkup, kemi një qeveri e cila po e mban vendin peng të paaftësive të veta, duke dëshmuar mungesë të theksuar sensi për proceset eurointegruese, për tejkalimin e kontestit me Greqinë”...

Nga Emin Azemi

Pamjet e dhunshme nga sheshi “Dëshmorët e kombit” në Tiranë, që u përhapën me shpejtësi edhe jashtë Shqipërisë, kanë mjaftuar për të thurrur lloj lloj parashikimesh për mundësinë e reflektimit të këtyre pamjeve në rrethanat e këtushme. Krahasimet janë gjithmonë të dobishme, kur në to gjenden pika referuese, që sqarojnë më mirë situata e momente të ndryshme, në vende e rrethana të ndryshme. Por, ajo çka i bën të gabueshme analizat komparative është lehtësia për të sjellë në vëmendjen e opinionit publik modele të gatshme dhe “të gatuara”, që jo gjithmonë mund të asocojnë në rrethanat e brendshme.

Fillimisht të aludosh, se ngjarjet në Shqipëri ishin njëfarë skenari, apo njëfarë kumti i keq për krejt rajonin, nuk na duket se i shkon natyrës së analizës së mirëfilltë. Sepse, ata që bëjnë aludime të tilla pa dashje futen në teoritë e konspiracionit dhe në këtë mënyrë, sikur u bëjnë një shërbim pa pagesë atyre koniukturave politike vendore, të cilat mezi presin që dikush nga jashtë t’i largojë ata nga pushteti. Me fjalë të tjera, sipas aluduesve të tillë, qeverinë aktuale në Shkup nuk mund ta largojë kurrfarë pakënaqësie e brendshme, poqëse ajo nuk qenka e motivuar nga pamjet që vijnë nga jashtë.

Kuptohet që impakti mediatik i pamjeve të dhunshme, që transmetohen në televizor, luan një rol bukur të madh në formimin e opinionit publik, mirëpo ato nuk mund të merren, si modele të gatshme për të dërguar një porosi prej së cilës kërkojmë ndonjë fitbek spektakular.

Situata sociale, ekonomike, politike, ndëretnike në Maqedoni është edhe ashtu problematike dhe asaj nuk i nevojitej kurrfarë injektimi mediatik nga jashtë për të qenë serioze. Por, edhe sikur të merrej si pikë referuese situata e fundit në Shqipëri, ajo assesi nuk duhet shikuar si një shirit i prerë në kronikën e gjatë të trazirave urbane në Paris, Athinë, Madrid, Stamboll e gjetiu.

Pamje edhe më të dhunshme kemi parë nëpër këto metropole, mirëpo të gjitha ato e kishin etiologjinë e vet të ndodhisë. Prejardhjen e dhunës sociologët e vështrojnë nga kënde të ndryshme, mirëpo të gjithë pajtohen se humbja e drejtpeshimeve sociale, politike e ekonomike në një vend mund të gjenerojë pakënaqësi, e cila mjafton të del nga kontrolli.

Në Shqipëri ka disa muaj që atmosfera politike është e elektrizuar falë një ngërçi, e cila nuk po mund të zgjidhet që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Të krahasosh aksionin politik të opozitës së Shqipërisë me aksionin politik të opozitës së këtushme është një matufëri e kulluar. Atje opozita ka një platformë, axhendë dhe një komunikim intensiv me bazën e vet, ndërkohë që këtu në Maqedoni opozita funksionon si një repart klinik për të shëruar depresionet momentale të shoqërisë. Në Shqipëri ka lidership të mirëfilltë opozitar, kurse këtu në Maqedoni, ka një lidership të lodhur e të plakur, të çakorduar e të paharmozuar për nga idetë dhe veprimet. Por, mbi të gjitha në Shqipëri ka një qeveri të suksesshme që i solli vendit rritje ekonomike në kushtet e krizës globale, i solli NATO-n, ndërtoi një infrastrukturë moderne rrugore dhe ndikoi që Shqipëria të jetë më afër rajonit, ndërkohë që në Shkup, kemi një qeveri e cila po e mban vendin peng të paaftësive të veta, duke dëshmuar mungesë të theksuar sensi për proceset eurointegruese, për tejkalimin e kontestit me Greqinë, si dhe një qeveri që erdhi me shumë premtime për bum ekonomik dhe po shkon duke i dhuruar vendit një varfëri dhe papunësi të skajshme një qeveri që derdh shuma marramendëse parash për shërimin e komplekseve antike në formë luajsh, e figurash të ndryshme anakronike.

Shikuar nga shumë aspekte, të pakta janë ato pikëtakime që na japin të drejtë për të sjellë paralelizma në mes të situatës në Shqipëri dhe asaj në Maqedoni, përpos nëse jemi ithtar të importimit të modeleve të gatshme, të cilat edhe si të tilla mund të shërbejnë si impiante artificiale që nuk i sjellin trupit ndonjë vitalitet të pritur.

*Autori është kryeredaktor i gazetës “Fakti” në Maqedoni

KOMENTE