Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
SHBA: Rama dhe Berisha, anuloni tubimet
English

SHBA: Rama dhe Berisha, anuloni tubimet

Tiranë, 25 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana Update i plotë – Mazhoranca dhe opozita duhet të shtyjnë ose më mirë të anulojnë tubimet që kanë paralajmëruar se do të kryejnë gjatë javës.

Kërkesa erdhi para pak çastesh nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

“Shpresoj që dy udhëheqësit kryesorë, Kryeministri dhe udhëheqësi i opozitës do të marrin në konsideratë shtyrjen apo anulimin e mitingjeve të planifikuara për të premten dhe të shtunën këtë javë. Përsëris, pres me kënaqësi të punoj me prokuroren e Përgjithshme në përpjekjet e saj për të kryer një hetim gjithëpërfshirës, të plotë dhe të besueshëm”, - deklaroi Arvizu.

Para se të shtronte këtë kërkesë, z.Arvizu u shpreh:

“Mendoj se shumë prej nesh janë ende të shokuar dhe shumë të trishtuar nga ngjarjet e së premtes së shkuar. Një çështje qendrore, që ka lindur nga ngjarjet e asaj dite është ajo e një hetimi mbi rrethanat e asaj dite shumë të vështirë. Sipas ligjit shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme është organi kryesor për hetimin e asaj situate dhe unë dëshiroj të deklaroj këtu, përpara të gjithëve, që Shtetet e Bashkuara e mbështesin Prokurorinë në mënyrë të plotë dhe tërësore. Do ta shoh dhe shqyrtoj me shumë kujdes letrën e prokurores së Përgjithshme. Do të më duhet ta dërgoj në Uashington, DC për shqyrtim të mëtejshëm. Megjithatë, pres që përgjigja të jetë e favorshme dhe pozitive megjithëse hollësitë do duhet të përcaktohen më pas. Vërej që shumë shqiptarë, duke filluar me Prokuroren e Përgjithshme, por edhe kryeministri, Z. Edi Rama, si dhe shumë shqiptarë kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për këtë hetim. Nëse është vendimi apo vendosmëria e Prokurores së Përgjithshme që Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë, ndihem i detyruar që duhet të përpiqemi. Shpresoj gjithashtu që me anë të këtij gjesti po demonstrojmë sinqeritetin tonë për vendosjen e një klime më të mirë politike këtu në Shqipëri, e cila vërtet ka nevojë për këtë sot. Dhe, në dritën e këtij zhvillimi, shpresoj që dy udhëheqësit kryesorë, Kryeministri dhe udhëheqësi i opozitës do të marrin në konsideratë shtyrjen apo anulimin e mitingjeve të planifikuara për të premten dhe të shtunën këtë javë. Përsëris, pres me kënaqësi të punoj me prokuroren e Përgjithshme në përpjekjet e saj për të kryer një hetim gjithëpërfshirës, të plotë dhe të besueshëm”.

***

Sakaq, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama deklaroi se ky institucion ka vendosur të kryejë hetime të ngjarjes së 21 janarit vetëm duke u mbështetur nga ekspertë amerikanë dhe konfirmoi se ka bërë një kërkesë ndaj diplomatit amerikan në Tiranë.

“Ndihma e kërkuar nga SHBA besojmë se do të garantojë një standard më të lartë dhe besueshmëri më të lartë”, – deklaroi zonja Ina Rama.

Më tej ajo shtoi se falënderonte ambasadorin e SHBA Aleksandër Arvizu i cili gjendej në konferencën për shtyp duke shtuar se shpresonte që të kishte përgjigje pozitive nga autoritetet amerikane.

Më poshtë vijon fjala e plotë e zonjës Ina Rama:

“Siç jeni në dijeni, lidhur me ngjarjen e ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në datën 21 janar, për shkak të së cilës, pati 3 shtetas të vrarë me armë zjarri, 7 shtetas të plagosur me armë zjarri si dhe shumë të plagosur me mjete të tjera ndër të cilët 36 punonjës policie, 25 civilë si dhe dëme të ndryshme materiale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranës ka filluar hetimet duke regjistruar procedimet penale përkatëse.

Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve, paraqet veçanti dhe vështirësi për shkak të kompleksitetit të pasojave të ardhura, përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik, të nevojës së hetimit të nxitësve të dhunës, si dhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë të opinionit publik dhe të vetë situatës politike në të cilën po kalon vendi.

Për të gjitha këto arsye, duke çmuar tepër të rëndësishëm hetimin objektiv, të gjithanshëm dhe profesional të kësaj çështjeje, duke ndjerë detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimit dhe duke pasur besimin e plotë në ndihmën serioze dhe efektive të ofruar në vazhdimësi nga partnerët tanë në SHBA, Prokuroria Shqiptare e gjen me vend t’u kërkojë atyre, të na mbështesin në hetimin e kësaj çështjeje nëpërmjet dhënies së një asistence teknike.

Kjo asistencë, kërkohet të shtrihet në aspekte të veçanta të ekspertizës kriminalistike dhe hetimit, në të cilën SHBA kane një standard të lartë profesional, fakt i cili besojmë se do të japë garanci të mjaftueshme, se procesi i nisur i hetimit do të jetë më i arrirë profesionalisht dhe më i besueshëm në paanshmërinë e tij.

Prokuroria Shqiptare ka nisur hetimet për këtë çështje që në ditën e ndodhjes së ngjarjes duke angazhuar në hetim të gjithë trupën e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët janë angazhuar me përkushtim për të kryer me efikasitet dhe me cilësi të gjitha veprimet e para hetimore në drejtim të evidentimit, fiksimit dhe administrimit të çdo prove materiale që lidhej me ngjarjen.

Rezultatet e kësaj veprimtarie hetimore të kryer që në çastet e para pas ndodhjes së ngjarjes, me profesionalizëm të lartë nga prokurorët dhe oficerët e Prokurorisë Tiranë, është e nevojshme t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimeve kriminalistike, apo mjeko ligjore, konkluzionet shkencore të të cilave janë tepër të rëndësishme për ezaurimin e një hetimi të pavarur dhe të gjithanshëm.

Në këto kushte duke qenë të ndërgjegjshëm se përgjegjësia për drejtimin dhe kontrollin e hetimit është e Prokurorisë Shqiptare, ndihma e kërkuar besojmë se do të garantojë një standard më të lartë të besueshmërisë në të.

Me këtë rast, Prokuroria Shqiptare falënderon ambasadën e SHBA për gatishmërinë e treguar nëpërmjet prezencës së ambasadorit të SHBA në këtë konferencë dhe shpresojmë se do të kemi një përgjigje pozitive për kërkesën e parashtruar”.

e.t/NOA

KOMENTE