English

E plotë- Dëshmia e Fiqiri Xibrit pas arrestimit të tij në demonstratën e 21 janarit

Tiranë, 26 janar 2011, NOA- Jam këtu për të denoncuar arrestimin tim të paligjshëm dhe dhunën skandaloze që u ushtrua mbi mua, nga momenti i ndalimit derisa arrita në komisariat. Mendoj se është me vlerë të sqaroj në fillim se pozicioni im gjatë demonstratës, jo vetëm që nuk ka qenë asnjë çast në mbështetje të dhunës, por krejt në të kundërtën, ashtu siç është transmetuar nga televizionet, në momentin që mbaroi efekti i gazit lotsjellës unë kam hipur në podiumin para kryeministrisë dhe i kam kërkuar demonstruesve që të mos qëllojnë. Besoj se kaq mjafton për të vërtetuar pozicionin tim real në protestë.

Fakti që dhuna e ushtruar pothuaj në fund të protestës përfundoi me arrestimin tim ka të bëjë me atë sulm fare fare të çuditshëm që u nis që mbrapa kryeministrisë nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe që nuk ju drejtuar grumbullit të personave që po godisnin me gurë, por njerëzve që tek tuk ishin në bulevard.

Njerëzve që ishin fare indiferentë , në kuptimin e pjesëmarrjes në protestë dhe njerëzve krejtësisht të pambrojtur. Ky ishte dhe momenti ku unë megjithëse ndodhesha pothuajse ne trotuar dëgjova një klithmë gruaje, mendoj që ishte një zonjë e vjetër që po kërkonte të birin, vinte vërdallë nëpër shesh e kërkonte të birin, kur ktheva kokën pashë që ajo ishte e kërrusur, e thyer më dysh dhe po e godisnin në mënyrën më çnjerëzore. U irritova dhe skandalizova në maksimum nga kjo dhe menjëherë vrapova për tju gjendur asaj gruaje, duke larguar personat që po e godisnin. Pasi i largova dy personat, pa i sharë por vetëm duke i thënë: ç’ bën more burra, kujt i godisni, i treti mu kthye duke më kundërshtuar e duke më thënë po ti çfarë ke. Dikush nga radhët mbrapa këtij vjen dhe më godet duke më plagosur dhe gjakosur. Që nga ai moment, sigurisht që irritomi im ishte dhe më i madh, ju kundërvura me ato fjalë që ata meritonin, kriminelë, serb, grekë, njerëz që nuk dini shqip. Faktikisht nuk reaguan ata për të më ndalur, dëgjova që urdhri erdhi nga disa metra më tutje, merreni, merreni. Ndodhi ajo që ju keni parë, më arrestuan dhe filluan që aty të më godisnin, kush të mundte më shumë.

Në momentin që më kaluan mbrapa kryeministrisë, jashtë syrit të ameve dhe unë isha i qartë se që nga ai moment e më tutje nuk e di se çdo të derdhej mbi mua. Ishte dhe një moment kur rashë në tokë, në gjendje gjysmë të fikti, mendova se aty nuk do më godisnin. Por nuk ndodhi kështu edhe në tokë godisnin. Diku dëgjova edhe zërin e zotit Tonin Vocaj, me të cilin kam komunikuar shpesh gjatë protestave që kemi zhvilluar ne si sindikatë e minatorëve, ai më foli e më tha: jam Tonin Vocaj, mos ki merak . ju drejtua dikujt që unë nuk e njoh por e kam parë e ju tha shoqërojeni në komisariat. Mendova që si drejtues i lartë i institucioneve të rendit, ai diti se në dorë të kujt më la dhe mendova që për këtë arsye nuk do të vazhdoja të goditesha më. Nuk ndodhi ashtu, kalova nga dora në dorë, midis segmenteve okulte të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët suleshin me tufa në mënyrën më barbare, me shprehjet më barbare, më të pacipa, më të padenja për cilindo njeri normal.

As unë nuk di sesa ka qenë numri i goditjeve dhe sa kanë qenë. Di të them vetëm që në përfundim nuk kishte centimetër të trupit që nuk isha i goditur. Vetëm në kokë janë 10 goditje.

Ndoshta duhet ta vë gishtin vetëm tek forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por mendojë që këto lloj segmentesh okulte nuk janë vetëm brenda këtyre forcave. Mendoj që edhe brenda policisë vetë ka segmente okulte, të cilat krejtësisht jashtë detyrave që kanë zyrtarisht nga eprorët e tyre, zbatojnë të tjerë skenarë, për terrorizimin e njerëzve, për terrorizimin e gjithë popullit. Për ti treguar këtij populli që nuk ke mundësi të guxosh, nuk ke frymë të guxosh për të kundërshtuar qeverisjen e Sali Berishës. Këto ishin dhe fjalët me të cilat më drejtoheshin vazhdimisht.

Kur arritëm në komisariatin nr. 2, brenda tij nuk u godita, por jashtë tij kishte përsëri pati disa goditje. Mendojë që ishin po të njëjtën njerëz që shkonin e vini dhe bënin këto gjëra. Mbas hyrjes në komisariat sjellja ndaj meje ishte pak a shumë korrekte, por nuk ndodhte e njëjta gjë me të tjerët. Jam skandalizuar dhe nuk mendoja kurrë se ekzistonte në shtetin tonë, rreshtoheshin policë a ku e di unë se ç’ ishin atje dhe të gjithë njerëzit e ndaluar rriheshin në mënyrën më barbare. Në rresht për të rrahur njerëz. Unë nuk e di jetojmë në një shtet brenda Europës, nuk kam fjalë për ta përshkruar atë që kam parë, pavarësisht se unë vetë nuk u cenova brenda komisariatit. Në kohën që isha në dhomën e izolimit dëgjoja thirrje, rënkime, britma nga ata që rriheshin. Kur dolëm dhe po na shoqëronin për në spital përsëri pashë të njëjtën gjë në korridor. Policë, apo ku e di unë së ç’ ishin, të rreshtuar aty duke goditur njerëzit që vini pasi ishin ndaluar. Duhet të shtoj që dhe pas kalimit në spital për të qenë i observuar, trajtimi ka qenë skandaloz. Jam trajtuar sikur të isha kriminel nga më të rrezikshmit. Megjithëse unë isha në pamundësi për të lëvizur nga gjithë sa kisha pësuar, më mbanin të lidhur me pranga në krevat. Këtë nuk e kisha imagjinuar kurrë, jo që do më ndodhte mua, po dhe fantazia më e shfrenuar nuk do të më kishte çuar të mendoj që dikush i sëmurë , një njeri që dihet që nuk ka të bëjë me dhunën e me asgjë nga këto të mbahet i lidhur me pranga në krevat. Ishte me vërtet një skandal që uroj ta harroj sa më shpejtë sepse është ndjenjë me të cilën nuk mund të bashkëjetosh dot.

Se di se ç’ mendon kjo lloj qeverisje, këto persona të veçantë, çfarë mendojë se do arrijnë nëpërmjet këtij terrori, nëpërmjet kësaj dhune? Vërtet mendojnë se shqiptarët tremben? Ata e dinë shumë mirë, se dhe vetë shqiptarë janë, që sa më shumë ta cenosh tjetrin aq më i vendosur ai bëhet sepse është një luftë e drejtë për atë që i ka munguar Shqipërisë realisht në këto 20 vjet, sepse deri tani është luajtur teatër kukullash në këto 20 vjet sesa një përpjekje e plotë vullnetshme për vendosjen e një demokracie dhe të një shteti që vërtet mendon për zgjidhjen e problemeve përpara se të mendojë për zgjidhjen e problemeve të pushtetarëve.

Dua ti bëjë thirrje të gjithë kolegëve të mi që të premten të jemi edhe ne në homazhet për ata që humbën jetën. Nuk mund të gjej fjalë më të mirë për ta sesa ti quaj dëshmorë të një demokracie që po kërkon të lind mbi gërmallat e teatrit. E një demokracie që na ka munguar si pasojë e zbatimit të disa skenarëve të thurur nga diktatura që ra. Siç thotë populli është litari i lënë jashtë varrit që na ka penguar deri më sot ndërtojmë një shtet realisht demokratik në të gjitha përmasat.

Jam i bindur që jeta e atyre dëshmorëve nuk ka shkuar dëm por i shërben në mënyrë të padiskutueshme dhe askush nuk e pengon dot më, për zgjerimin e mushkërive të demokracisë, për të cilën ne po këmbëngulim e po luftojmë pa u lodhur. Është momenti, pavarësisht se ne jemi në anën e të drejtës, të qetësojmë në radhë të parë vetveten, të mundohemi ti lëmë një kohë të arsyeshme institucioneve, pavarësisht se ato në një masë të madhe janë të kapura nga qeveria, por është një moment ku dhe ato që duan apo s’duan do ta thonë fjalën e tyre. S’duhet të harrojmë që ne duhet të jemi gjithmonë në këmbë, derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht. Pa një zgjidhje politike nuk mund të ketë vazhdime të mëtejshme.

NOA

KOMENTE