English

Kantrimen: Udhëheqësit politikë të mos përzihen në punët e Prokurorisë

Uashington, 26 janar 2011, NOA – Pas telefonatave të mbrëmjes së shkuar me dy liderët e mazhorancës dhe opozitës shqiptare, Zëvendës Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen e cilësoi vendimin e Kryetarit të Opozitës, Edi Rama për zhvillimin e demonstratës së 28 janarit si një vendim të gabuar. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Tomas Kantrimen nga ana tjetër e cilësoi të drejtë vendimin e kryeministrit Berisha për anulimin e tubimit të së shtunës, që ishte lajmëruar të bëhej pikërisht si kundërpërgjigje e demonstratës së opozitës. Zoti Kantrimen bëri thirrje për qetësim të situatës duke theksuar se në këtë moment zgjedhjet e parakohshme nuk janë alternativë për zgjidhjen e problemeve.

“Jetike në këtë moment”, tha Zëvendës Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, “është që prokuroria të jetë në gjendje të kryejë një hetim të besueshëm e të paanshëm”.

Në këtë kontekst vijoi Kantrimen “SHBA do ta asistojë Prokurorinë shqiptare me ndihmë teknike”.

“Hetimi i paanshëm është tejet i rëndësishëm, nënvizoi ai, duke theksuar se “vetëm institucionet e pavarura janë të afta të bëjnë hetime të besueshme”, tha Kantrimen.

Ai i bëri thirrje politikanëve që të mos i përdorin përpjekjet për hetimet dhe zbardhjen e ngjarjeve nga prokurorët si një mjet politik.

“Udhëheqësit politikë të mos përzihen në punët e Prokurorisë”, tha më shkoqur zyrtari amerikan.

Më tej Zëvendës Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen apeloi që pas qetësimit të situatës së rënduar në vend, palët të angazhohen në një fushatë të ndershme elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.

mit/NOA

KOMENTE