English

Presidenti flet mbi situatën e rëndë në Shqipëri

Tiranë, 26 Janar 2011 NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, sapo ka dalë me një deklaratë para kombit duke vlerësuar se duhen pezulluar të gjitha tubimet publike apo demonstratat.

Kryetari i shtetit vëren se qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacënuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane.

Kurse paralajmëron se “e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik! Ajo që duhet bërë, duhet bërë sa më shpejt dhe sa më drejtë në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e garantuar dhe e lumtur”.

Më poshtë vijon deklarata e plotë:

“Sot zhvillova dy takime me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë, të kryesuar nga zoti Miroslav Lajçak, me të cilin bisedova rreth situatës dhe klimës së rënduar politike të krijuar në vendin tonë sidomos pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, duke ndarë shqetësimin e jashtëzakonshëm për këtë gjendje. Së bashku diskutuam rreth mundësive për të gjetur një rrugëzgjidhje të menjëhershme nga kjo situatë, që përveç të tjerash dëmton rëndë edhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Që në fillim, me cilësinë e Presidentit të Republikës shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes politike në Shqipëri.

Gjithashtu, në përputhje të plotë edhe me qëndrimet dhe me mesazhet e vazhdueshme të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ritheksova qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucioneve në vend.

Nën frymën e konsensusit si dhe sipas standardeve demokratike, si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate theksoj me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane. Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!

Qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë. Duke mos vënë në pikëpyetje për asnjë çast të drejtën legjitime të çdo subjekti politike dhe individi për të demonstruar paqësisht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unision me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënojmë dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme.

Është nevojë imediate dhe jetike që të rifitohet qetësia, të rigjehet maturia, vullneti i mirë si dhe gjuha e dialogut institucional nga të gjitha palët e politikës, sepse vetëm funksionimi normal i hapësirave dhe mjeteve demokratike nga ana e institucioneve kushtetutese e të pavarura do të na sillte sërish në normalizimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimit normal të një shteti ligjor, modern e demokratik, siç i ka hije vendit dhe popullit tonë.

Në këtë prizëm nuk duhet harruar se zgjedhjet vendore po afrohen gjithnjë e më shumë, dhe në prag të tyre është detyrim ligjor dhe moral i mbarë klasës dhe aktorëve politikë shqiptarë që të garantojnë me përgjegjësinë më të madhe një klimë të qetë, një zhvillim normal dhe administrim korrekt të zgjedhjeve dhe rezultateve që do të dalin prej tyre. Qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacënuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane. E ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik! Ajo që duhet bërë, duhet bërë sa më shpejt dhe sa më drejtë në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e garantuar dhe e lumtur

e.r/NOA

KOMENTE