English

Berisha: Ina Rama, rrëfe pse mashtrove kur the “nuk ngrite padi për dhunim institucionesh”

Tiranë, 27 janar 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu as sot akuzat për mashtrim ndaj kryeprokurores Ina Rama, të cilën e akuzoi se ka mashtruar në konferencën për shtyp të dy ditëve më parë, kur deklaroi se ndaj gardistëve që qëlluan mbi turmën është urdhëruar urdhër-ndalimi dhe jo urdhër-arresti, pra padi për dhunim të institucioneve kushtetuese. Gjatë takimit që pati sot me familjarë të efektivëve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, shefi i qeverisë e paralajmëroi kryeprokuroren t’u tregojë të vërtetën shqiptarëve, atë të vërtetë të cilën sipas kryeministrit zonja Rama e fshehu në konferencën e përbashkët për shtyp me Amabasadorin Amerikan Aleksandër Arvizu.

“Duhet t’i jap një paralajmërim tjetër Prokurores së Përgjithshme. Thuaju shqiptarëve me çfarë cilësie mashtrove se nuk është bërë padi, kush ta dha porosinë të deklarosh se nuk është bërë padi për dhunim të institucioneve kushtetuese. Duhet ta thuash, këtë ta kërkojnë të gjithë këta burra e gra, ta kërkojnë të gjithë burrat e gratë e Shqipërisë që panë se djemtë e tyre për 5 orë rresht u sulmuan në mënyrën më barbare jo tek pragu i shtëpisë së tyre, as edhe te shtëpia e gjyshërve të tyre, por u sulmuan në mënyrën më barbare në mbrojtje të institucionit kryesor kushtetues ekzekutiv i vendit, Këshillit të Ministrave”, theksoi kryeministri.

Shefi i Ekzekutivit i kërkoi kryeprokurores të rrëfejë publikisht se cili e urdhëroi të deklaronte këtë gjë përballë popullit, duke e akuzuar atë se ka mashtruar edhe në prani të një përfaqësuesi të vendit më të madh në botë e më mik të shqiptarëve, ambasadorit të SHBA-ve.

“Harrove se përfaqësuesi i vendit mik, me të cilin po flisje, kishte qenë edhe tek unë dhe ishin bashkërenduar të gjitha gjërat e ti veprove në këtë mënyrë. Unë të kërkoj t’u thuash shqiptarëve, se ti kryeson një institucion kushtetues, kush të urdhëroi, kush të detyroi të mashtrosh publikun, të bësh një mashtrim kaq të rëndë”, tha zoti Berisha.

Ai nënvizoi se mbante këtë qëndrim ndaj kryeprokurores, pasi është e drejtë e shqiptarëve tha ai, që vendi të dijë gjithçka, çdo tentativë që bëhet për të cënuar lirinë e tij.

“Këtë nuk do mund ta bëjnë kurrë. Këtë ne e kemi faktuar. Por ne jemi vend demokratik dhe bëjmë transparencën”, garantoi shefi i qeverisë.

Ai bëri me dije se kjo e tanishmja është një situatë kalimtare.

Berisha garantoi se do të bëjë gjithçka për mbështetjen e efektivëve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, duke theksuar se “ky puç që sërish vazhdon do të marrë po nga institucionet e ligjet e këtij vendi ndëshkimin më të merituar.

“Kriminelët e kuptojnë se çfarë kanë bërë e si bishë e tërbuar përpëliten në strofkullat e tyre luksoze. Janë të pashpresë. Ligji është mbi çdo qytetar të këtij vendi. Ligji është e do të jetë mbi çdo zyrtar të këtij vendi. Ne jemi vend i lirë, jemi vend anëtar i NATO-s”, siguroi Kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE