English

Londra: Nuk prisnim këto nga një kandidat për BE

Londër, 27 Janar 2011 NOA/ Emili Brashaj - Ministri Britanik për Europën, David Lidington ka reaguar sot zyrtarisht për demonstratën e dhunshme në Shqipëri. Ai ka shprehur keqardhje për dhunën dhe humbjen e jetëve gjatë të premte së kaluar në Tiranë. “Imazhet nga Tirana që pamë në ekranet tona televizive javën e kaluar nuk janë imazhe qe ne duam të shohim nga një shtet që dëshiron anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Për z. David Lidington, mënyra më e mirë tani për të treguar respekt për viktimat, respekt për ata punonjës policie të cilët u sollën me përmbajtje dhe profesionalizëm, është që të sigurohet një hetim penal i plotë, i pavarur, për ngjarjet të premten e kaluar, veçanërisht për të shtënat me armë.

Po ashtu z. Lidington shprehet me një tjetër thirrje: “I kërkojmë fuqimisht autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar plotësisht me hetimin e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe partitë politike të përmbahen për të mos sulmuar integritetin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të mos pengohet procesi i nevojshëm i sundimit të ligjit”.

Njëkohësisht, ministri David Lidington pohon se drejtësia nuk mund të kryhet brenda natës.

Kurse evidenton: “Qeveria e SHBA-së ka ofruar mbështetje të rëndësishme ekspertësh për Prokurorinë e Përgjithshme, që do të ndihmojë për të shpejtuar procesin. I dërguari i BE-së Lajçak e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Tiranë dje se BE-ja, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu janë të gatshëm për të ndihmuar”.

Në këtë pikë, z. David Lidington konsideron se edhe me mbështetjen ndërkombëtare, një hetim i besueshëm do të marrë kohë.

Kurse në mbyllje të qëndrimit të tij, vlerëson: “Gjatë këtij momenti të rëndësishëm dhe delikat, kur kredibiliteti ndërkombëtar i Shqipërisë është në rrezik, tubime te tjera, sado paqësore të jenë qëllimet e tyre, mund të shkaktojnë përplasje të tjera. Ne kërkojmë nga të gjithë që të mos lejojnë një përsëritje të ngjarjeve të së premtes së kaluar”.

e.r/NOA

KOMENTE