English

PE: Qeveria të bashkëpunojë me Ina Ramën

“Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe stabilitet”

Bruksel, 27 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian shprehu sot shqetësimin e tij të thellë mbi përkeqësimin e situatës së polarizimit politik në Shqipëri, një vend ky i lidhur ngushtë me Bashkimin Europian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian konfirmon të drejtën themelore të popullit shqiptar për të demonstruar, por, konsideron se në rrethanat aktuale organizimi i veprimeve të tilla mund të përkeqësojë edhe më tej tensionin në vend dhe mund të rezultojë në gjakderdhje të mëtejshme.

Për këtë arsye Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian deklaroi sot se i fton udhëheqësit e të gjitha forcave politike të tregojnë qetësinë dhe përmbajtjen e nevojshme në situatën e vështirë që po kalon Shqipëria. Ato duhet të kontribuojnë për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.

Njëkohësisht, Grupi insiston që ata që kanë qëlluar kundër tre pjesëmarrësve në demonstratë të nxirren përpara drejtësisë dhe për këtë arsye kërkon që autoritetet shqiptare të bashkëpunojmë plotësisht me zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer hetimet e nevojshme. Grupi vajton deklaratat e Kryetares së Kuvendit dhe të Kryeministrit që ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të hequr dorë nga akuzat kundër atyre që kanë qëlluar.

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian thekson se hapja e zjarrit kundër qytetarëve dhe ndërhyrja në punët e drejtësisë për të shmangur arrestimin e atyre që dhanë urdhër për të qëlluar janë të papranueshme në një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian denoncon fuqimisht adoptimin e një rezolute nga partitë e mazhorancës qeverisëse në Parlamentin Shqiptar ku demonstrata e së premtes së shkuar në Tiranë shpallet si një rrethim i paligjshëm i Kryeministrisë dhe një tentativë për grusht shteti nga kryetari i Partisë Socialiste kundër qeverisë.

Ai u bën thirrje udhëheqësve të të gjitha forcave politike që të zgjidhin problemet e Shqipërisë dhe të vendosin për të ardhmen e vendit përmes dialogut konstruktiv dhe në një mënyrë që përputhet me ambiciet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky dialog, për të gjetur zgjidhje politike përbën një parakusht për hapat e mëtejshëm drejt integrimit europian – mungesa e tij do të rrezikonte seriozisht marrëdhëniet e vendit me BE.

Së fundi Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian i bën thirrje Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë që të shtojnë përpjekjet e tyre për të krijuar kushtet për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë serioze në Shqipëri dhe të angazhohen me udhëheqësit kryesorë politikë në një dialog konstruktiv për kursin e ardhshëm politik të vendit të tyre.

e.t/NOA

[media id=13 width=620 height=440]

KOMENTE