English

Rama: Refuzojmë rrugën e dhunës, unë do të kryesoj demonstratën

Tiranë, 27 janar 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij para mediave kreu i opozitës Edi Rama, shprehu keqardhje për shkresën e drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, që sipas tij tregon keqpërdorimin e policisë së Rendit.

“Ne nuk e kemi ngatërruar dhe as nuk e ngatërrojmë keqpërdorimin e shkaktuar, përmes një grushti drejtuesish që kanë braktisur kornizën e ligjit, me gjithë policët dhe shefat dhe me këdo që nën uniformat blu është një shërbëtor i shtetit dhe i qytetarëve, çdo polic duhet të ndiejë të gjithë respektin dhe dhembshurinë tonë, për të gjitha sakrificat e jetës së tij. Sakrificat e një ekonomie të marrë peng të cilitdo që nuk jeton në oborrin e kusarëve dhe matrapazëve dhe të tillë janë të gjithë policët Shqipërisë”, tha Rama.

Ai nënvizoi se, “këtë apel përpara demonstratës-homazh të ditës së nesërme të përsërisja dhe njëherë me vendosmëri dhe me bindje të thellë se paqja është ajo që shëron çdo plagë dhe se përmes rezistencës paqësore jo vetëm mund të fitohen liritë dhe të drejtat e fituara dhe të kërcënuara, por më tepër se kaq, vetëm me protestë paqësore liritë janë të pamohueshme, paqja shëron dhuna hap plagë të reja, për të mbyllur plagë të vjetra”.

Sipas tij, demonstruesit besojnë te paqja dhe refuzojnë çdo lloj dhune, ashtu sikurse refuzojnë çdo dëshpërim të shprehur përmes dhunës.

Në kundërshti me protestën e 21 janarit, Rama theksoi se, “Unë do të jem në krye të demonstratës-homazh në respekt të familjarëve të viktimave të cilët do të marrin gjithashtu pjesë, për t’iu bërë njerëzve të tyre të zemrës bashkë me gjithë Shqipërinë një nderim të posaçëm dhe padyshim ashtu si nesër edhe në vijim, unë bashkë me të tjerët do të jemi në krye të manifestimit dhe rezistencës paqësore”.

Në mbyllje kreu i opozitës dhe iniciatori i demonstratës së përgjakur që shkaktoi tre viktima, Edi Rama tha se, “Nuk ka asnjë gjasë që ne ti jepemi rrugës së dhunës dhe as të kërkojmë ndonjë qoshe të frikës”.

a.y/NOA

KOMENTE