English

Policia flet zyrtarisht mbi planin për të vrarë Edi Ramën

Tiranë, 30 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj doli sot para medieve duke folur mbi planin për të vrarë Edi Ramën dhe arrestimin e tre personave të dyshuar për kërcënimin e kreut socialist me vdekje.

“Më datë 27 janar, rreth orës 18:00, Policia e Shtetit mori informacion mbi një kërcënim të shtetasit Edi Kristaq Rama, nga shtetasi Luan Zenel Rami 37 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë”, - sqaroi z.Burgaj.

Sipas informacionit paraprak në këtë kërcënim me SMS, Luan Zenel Rami kërkonte zhdëmtimin e automjetit të tij privat të dëmtuar gjatë protestës së 21 janarit, i cili ndodhej i parkuar përballë dy kullave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Nisur nga kjo situatë struktura qendrore e Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda mori masa të menjëhershme për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasve:

1. Luan Zenel Rami, vjeç 37, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.

2. Fatos Hamit Rami, vjeç 29, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.

3. Afrim Ali Kica, vjeë 33, lindur në Burrel dhe me banim në Tiranë.

Të tre shtetasit e mësipërm u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë nga ora 21:00 e datës 27 janar deri në orën 04:00 të datës 28 janar.

Njëkohësisht Policia e Shtetit dhe strukturat përkatëse të Gardës së Republikës u njoftuan dhe morën masa për përforcimin e sigurisë fizike të shtetasit Edi Kristaq Rama dhe personaliteteve të larta shtetërore.

Si rezultat i një hetimi të kryer në bashkëpunim, nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, më datë 28.01.2011, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve te lartpërmendur.

Z.Burgaj tha se materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sakaq më herët se të dilte Burgaj, Agjencia NOA siguroi dhe publikoi detaje mbi planin për vrasje shoqëruar me kërcënim për vdekje.

e.t/NOA

KOMENTE