English

Topi: Liza Vorfi, model për brezat e rinj të aktorëve

Tiranë, 30 janar, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktores së shquar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Liza Vorfi, e cili u nda dje nga jeta në moshën 88-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

“Më lejoni që t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, të aktores së madhe dhe të njërës prej themeluesve më të spikatura të Teatrit tonë Kombëtar! Interpretimi origjinal, mjeshtëria dhe plastika e papërsëritshme me të cilat u realizuan dhe u portretizuan me dhjetëra role e personazhe në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në kinematografi, e shndërruan Lizën në një figurë të dashur e të pashlyeshme në kujtesën e artdashësve dhe publikut shqiptar”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Në mesazhin e tij, Topi vlerëson se Vorfi është një model për aktorët e rinj.

“Të paharrueshme do të mbeten edhe virtytet e saj njerëzore: thjeshtësia, fisnikëria dhe vetëmohimi duke u shndërruar në një shkollë të vyer aktrimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve të rinj. Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin duke ju shprehur edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kreut të shtetit.

a.k/NOA

KOMENTE