English

Zbardhet plani për të vrarë Edi Ramën dhe shkaku

EKSKLUZIVE NOA

Tiranë, 30 Janar 2011 NOA – Tashmë është zyrtare dhe pohohet nga institucionet përkatëse. Një 37 vjeçar nga Burreli i është hakërryer Edi Ramës për vrasje, në shenjë hakmarrjeje për dëmtimin e automjetit të tij.

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i thanë agjencisë NOA se Luan Rami, 37 vjeç, nga Burreli me banim në Tiranë, është personi që ka tentuar të planifikojë vrasjen e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Sipas të njëjtave burime, Rami ka konstatuar pas demonstratës së 21 janarit të opozitës, se automjeti i tij, ishte dëmtuar me zjarr nga demonstruesit, një pjesë e të cilëve degjeneruan në dhunë.

I irrituar nga ky fakt, Rami ka dashur të hakmerret dhe ka planifikuar të kryejë një hakmarrje pse jo publike, pikërisht më 28 janar, një javë më pas, në demonstratën e dytë të opozitës.

Madje i ka derguar nje mesazh z. Edi Rama duke i bërë të qartë se e shikonte atë përgjegjës për shkatërrimin e makinës së parkuar afër vendit të demonstratës. Mesazhi pak a shumë ka qenë: "Këtë do ta paguash me kokën tënde".

Mësohet se mes Ramit dhe Ramës ka pasur komunikim me hakërrime por në orët në vazhdim ka ndërhyrë policia.

Kvshtu, para se të niste mesditën e së premtes 28 janar, demonstrata homazh, policia ka arritur që të zbulojë me sinjale të ardhura në rrugë operative dhe më tej duke përdorur metoda speciale hetimi, se Rami po përgatitej vetë i tretë të sulmonte Edi Ramën.

Menjëherë është bërë, paraditen e 28 janarit, arrestimi i të treve pohojne burimet e mesiperme per agjencine NOA.

Vetëm sot në mesditë, kur të dyshuarit dolën për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës, në një komunikatë zyrtare, Policia e Shtetit tha se “si rezultat i një hetimi të kryer në bashkëpunim nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, me qëllim parandalimin e një akti kriminal, më datë 28.01.2011, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve”.

Ata janë:

1. Luan Zenel Rami, 37 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.

2. Fatos Hamit Rami, 29 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.

3. Afrim Ali Kica, 33 vjeç, lindur në Burrel dhe me banim në Tiranë.

Ndalimi i shtetasve të mësipërm është bërë, pasi po siguronin kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasje, parashikuar nga neni 80, i Kodit Penal, tha Policia e Shtetit.

Ky nen i Kodit Penal, thotë: Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Policia tha se materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në ditën e demonstratës së dytë, gjithçka ka ecur në dy plane. E para, arrestimi i Luan Ramit dhe dy të dyshuarve të tjerë. E Dyta, ruajtja me një mori truprojash dhe agjentësh të veshur civilë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

e.t/NOA

KOMENTE