English

Pasqyra e Shtypit, 31 Janar 2011

Tiranë, 31 Janar, NOA - Gazetat shqiptare vazhdojnë të flasin sërish mbi gjithçka ndodhi në demonstratën e 21 Janarit, duke përfshirë detaje të reja rreth saj, konkretisht mbi tabulatet e telefonatave mes krerëve të lartë të shtetit, kërkuar nga komisioni hetimor për 21 Janarin.

Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i arrestimit të tre personave që kanë kërcënuar me jetë liderin e opozitës, Edi Rama.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Ç’ka nxjerr nga goja burri i shtetit”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete deklaratat e lëshuara nga kryeministri gjatë javës së fundit, pas 21 janarit.

“Komandanti i Gardës vartësit mbrëmjen e 27 Janarit: Nesër do ju vrasin shefin, merrni masa”, është një artikull tjetër që tregon mbi rrezikun ndaj liderit të opozitës.

“Blindohet kulla e dytë e familjes Berisha” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Burg kërcënuesve/ Plani për vrasje, zbardhen SMS për Edi Ramën”, i cili flet për kërcënimet kundër liderit të opozitës.

“Kuvendi: Nuk përgjojmë, kërkuam vetëm tabulatet/ Omari e Abdiu: Hetimi i telefonatave, antikushtetuese”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Pajtimi/ Falen 3 vëllezër të ngujuar për 25 vjet”; “Korrupsioni në drejtësi, bie përgjimindaj gjyqtarit”; “Mblidhte skrap, 16 vjeçari vdes në rrënojat e fabrikës” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Plani për vrasjen e Ramës”, i cili citon detajet e përgjimeve të telefonave – 3 në qeli, 3 në kërkim.

“Kontrabanda, sekuestrohet në Kakavijë sasia më e madhe e kafesë, 22 tonë” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar sasisë së kapur në Kakavijë.

Kurse “Ish-ministri Prifti: Po rikthehet ’97, policia provokoi demonstruesit”, flet për reagimin e ish-ministrit të Ekonomisë mbi demonstratën e 21 Janarit.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Rama: Ndërkombëtarë, ndërhyni!”, i cili tregon sesi lideri i opozitës u bën thirrje ndërkombëtarëve për të ndërhyrë dhe qetësuar disi situatën e krijuar mes dy kampeve kryesore politike në vend.

“Gripi i derrit, 15 raste të rënda në Tiranë” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Komploti ndaj Edi Ramës, përplas policinë me PS-në”, “Ilir Beqja: Zgjedhjet e reja, janë e vetmja zgjidhje” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “I dogjën makinën më 21 Janar, kërcënon Edi Ramën me vrasje”, i cili pasqyron kërcënimet ndaj shefit të opozitës në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Policia: Denonconi dëmet që pësuat në 21 Janar”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Telefonatat, ja nenet e ligjit që lejon hetimin”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 31 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE