English

Marrëveshje me Francën për modernizimin e ujësjellësave

Tiranë, 1 shkurt, NOA - Shqipëria dhe Franca kanë nënshkruar sot marrëveshjen, “Për përgatitjen e standardeve teknike të projektimit dhe zbatimit për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri”

Në bazë të kësaj marrëveshje Shqipërisë i akordohet një fond grant prej 450,000 Euro të destinuara për të financuar një studim mbi aktualizimin e Standardeve Teknike të Projektimit dhe Zbatimit si dhe të normave teknike për projektet në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve.

Ky projekt përfshin të gjitha elementet e një skeme të furnizimit me ujë si: burimet, trajtimin,shpërndarjen e ujit të pijshëm, mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura, impiante të vogla e të mëdha të trajtimit të ujit të ndotur të kanalizimeve, duke përfshirë pajisjet, materialet, mënyrat e realizimit të punimeve dhe monitorimin.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit,

Sokol Olldashi, ambasadores Francesë, Maryse Daviet, si dhe përfaqësuesve përkatës të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të Shqipërisë dhe ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financës së Francës.

Olldashi theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje, ku ndër të tjera u shpreh se; “kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne, në dy aspekte: Së pari, kemi një investim të shtetit franceze në sektorin e ujit, e cila është e para e këtij lloji në këtë sektor. Së dyti, kjo marrëveshje do të përmisojë standardet teknike ekzistuese, të cilat datojnë nga viti 1974, dhe duke marrë parasysh rritjen shumë të shpejt të financimit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, dhe atë çfarë ne planifikojmë për katër apo pesë vitet e ardhshme, bën të domosdoshëm përmisimin e këtyre standardeve tashmë të vjetruara”

Ministri falënderojë qeverinë franceze për ndihmën e dhënë në këtë sektor, si dhe ambasadoren franceze Maryse Daviet, për angazhimin e saj personal për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Nga ana e saj ambasadorja franceze Maryse Daviet u shpreh se me këtë pakt thellohet edhe më tej bashkëpunimi.

“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme e cila përfshin të gjitha disiplinat në sektorin e ujit. Në sajë të këtij projekti Shqipëria do të këtë mundësi të ndërtoj një sistem modern në sektorin e ujit , sipas të gjitha standardeve Europiane, nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptarët”, tha ajo.

Studimi do të realizohet nga Zyra Ndërkombëtare e Ujit në bashkëpunim me shoqërinë SAUR, të cilat kanë eksperiencë të pasur në këtë fushë në Francë dhe në të gjithë botën.

Kriteret që do të ndiqen për realizimin e dokumentacionit teknik do të jenë në adaptim me kushtet e vendit tonë, si dhe përfshirja e teknologjisë më të fundit sipas standardeve te BE-së.

NOA

KOMENTE