English

PS: Përballë regjimit të kusarisë në 4 shkurt

Tiranë, 1 shkurt 2011, NOA – Selia rozë reagon pas deklaratës së Kryetarit të Grupit Kuvendor Demokrat, Astrit Patozi, duke sqaruar opinionin publik në se gatishmëria për dialog dhe kompromis e Shefit të Opozitës dhe Partisë Socialiste Edi Rama nuk nënkupton asnjë ndryshim të qëndrimit të opozitës në lidhje me situatën politike në vend dhe gjithëçka po ndodh në Shqipëri. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa deklaroi në një konferencë për shtyp se “Ne jemi vendosmërisht kundër regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut dhe lufta frontale e Saliut kundër Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve kundërshtarë, të gjithë puçistë, tregon në fakt se çfarë marrëzie është vetë përralla e këtij puçi imagjinar”.

Sipas Ajtyresës, puçin me çadra nuk e beson kërkush, as edhe vetë kryeministri, që sikundër tha ajo, ka dalë krejt zbuluar përpara shqiptarëve me vrasjet e me videohajnitë e qeverisë së vet.

“Në vend që të bashkëpunojë me drejtësinë për të çuar vrasësit në burg dhe të dialogojë me opozitën për një zgjidhje të re, i ashtuquajturi kryeministër i vendit ëndërron të burgosë krejt Shqipërinë në qelinë e çmendisë së vet”, nënvizoi Ajtyresa.

Ajo apeloi se “Dialogu e kompromisi duan dy palë dhe bëhen mes dy palësh. Ne kemi qenë e jemi gati për dialog në të mirë të vendit dhe për kompromis në interes të shqiptarëve. Por sigurisht ne nuk do të presim kthimin e Saliut nga rruga qorre ku ai ikën përditë, në drejtim plotësisht të paditur”.

Në përfundim të deklaratës së saj, Ajtyresa bëri edhe njëherë thirrje për demonstratën e të premtes në 4 shkurt që do të mbahet në katër qytete njëherësh në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Korçë, ku opozita do të kërkojë dorëzimin në organet e drejtësisë të gjashtë gardistëve që qëlluan mbi turmën në demosntratën e 21 janarit.

“Do jemi përballë me regjimin e kusarisë në protesta të vazhdueshme. Të premten 4 shkurt në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Korçë, do të dalim bashkë me popullin për të shprehur kundërshtinë me këtë regjim, për të kërkuar dorëzimin e 6 komandantëve të Gardës në prokurori, për të kërkuar rifutjen në kornizën e ligjit të Policisë së Shtetit, për të kërkuar një drejtësi të drejtë dhe një zgjidhje të re politikë në emër të Shqipërisë Europiane”, deklaroi Ajtyresa.

mit/NOA

KOMENTE