English

Komisioni shtyn seancën me kreun e SHISH-it

Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA – Pas dëshmive të para të dhëna nga Kryeministri Sali Berisha në 31 janar dhe asaj të djeshme nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Komisioni Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit ka shtyrë seancën e sotme dëgjimore me Drejtorin e Shërbimit Informativ, Bahri Shaqiri për arsye teknike. Lajmin e bëri publik zyra e shtypit e Kryesisë së Kuvendit.

Në njoftimin për shtyp thuhet se “Komisioni Parlamentar Hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011 shtyn për një ditë tjetër seancën dëgjimore të datës 2 shkurt në orën 17:00 me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, për arsye teknike.

Në njoftim bëhet e ditur se séance dëgjimore është shtyrë për një ditë tjetër, e cila do të bëhet e njohur në ditët e ardhshme.

Ndërkohë po sot edhe Presidenti i Republikës ka refuzuar të dëshmojë para Komisionit hetimor.

Ishte Këshilltari Juridik i Presidentit, Spiro Peç, i cili e argumentoi refuzimin e Presidentit me faktin se kërkesa e komisionit është e paligjshme, pasi Presidenti jep dëshmi vetëm në selinë e tij.

Madje ai deklaroi se edhe kërkesa për vënien në dispozicion të komisionit të tabulateve telefonikë të Presidentit është e paligjshme, pasi vënia në dispozicion e tyre nga ana e kompanive celulare bëhet vetëm me kërkesë të Prokurorit.

mit/NOA

KOMENTE