English

Kryeprokurorja refuzon dëshminë: Nuk ma lejon ligji të flas për hetimin

Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani – Me një ton të prerë dhe duke lexuar një sërë nenesh të Kushtetutës së vendit që garanton pozicionin e saj ligjor, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e akuzuar nga mazhoranca si aktore e puçit të 21 janarit refuzoi të dëshmonte për ngjarjet e 21 janarit përballë Komisionit Hetimor Parlamentar.

Ina Rama e ka argumentuar largimin e saj me faktin si[pas saj, se Prokurorit të Përgjithshëm, Kushtetuta e vendit nuk ia lejon të japë asnjë informacion për një çështje hetimore të nisur, e cila nuk është përfunduar ende. Duke iu referuar një sërë nenesh të Kushtetutës së vendit, Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi përpara komisionit se “Për shkak të hetimit të ngjarjeve të 21 janarit dhe kufizimit ligjor për Prokurorin e Përgjithshëm, ju bëj me dije se nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve të tuaja për çështjen në fjalë, e cila është e lidhur në mënyrë integrale me hetimin e Prokurorisë, pasi kështu e parashikon ligji”.

Pasi lexoi nenet që përcaktonin të drejtën e saj, zonja Ina Rama doli nga salla dëgjimore, duke mos iu përgjigjur thirrjes së Komisionit.

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama u shpreh se ligjet e vendit garantojnë pavarësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, duke theksuar se ai është organi më i lartë i akuzës që ka tagër të çojë një çështje hetimore në Gjykatë.

Madje kryeprokurorja Rama theksoi se pavarësia e saj garantohet edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Që në krye të dëshmisë kur zonja Rama po citonte ligjin që i ndalon asaj dëshminë për një çështje hetimore në shqyrtim, Kryetari i Komisionit Hetimor, Deputeti demokrat Eduard Halimi u atakua me Kryeprokuroren duke i kërkuar asaj të mos i lexonte ligjet, por t’i jepte informacion mbi 21 janarin.

Por, zonja Rama e përgatitur për të dhënë përgjigjen e saj të prerë, theksoi se ligjet që ajo citoi parashkojnë që Komisionet hetimore të Kuvendit e thërrasin Prokuroren për funksionimin e organit të akuzës, për çështje të kriminalitetit, por asesi për të dëshmuar për një çështje në hetim.

Ajo bëri me dije se “Prokuroria është duke kryer hetimet për 21 janarin dhe këto po zhvillohen në mënyrë të njëanshme dhe të pavarur”.

Sipas kryeprokurores hetimi po bëhet mbi dhunën e ushtruar ndaj institucioneve, vrasjet e demonstruesve dhe prokurorisë i vjen në ndihmë çdo informacion për zbardhjen e ngjarjeve”

Vetëm në përfundim të këtij hetimi, tha zonja Rama, Prokurorja e Përgjithshme mund të raportojë për ngjarjet.

Ajo ritheksoi se Kuvendin dhe Komisionet e tij nuk kanë tagër të hetojnë këtë çështje, duke nënkuptuar se hetimi paralel që po kryen ky komision është tërësisht i paligjshëm.

Zonja Rama ritheksoi se asaj nuk i lejohet njoftojë për çështje konkrete.

Më poshtë vijon fjala e plotë e Ina Ramës:

I NDERUAR Z. KRYETAR I KOMISIONIT

TE NDERUAR ANËTARË,

Jam thirrur sot prej jush në këtë seancë pyetjesh në zbatim të nenit 14 germa “b” e ligjit nr. 8891 datë 02.05.2002 “për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” me cilësinë e titullarit të institucionit, pra në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.

Jam këtu sot, para jush, pikërisht në respektim të kushtetutës, ligjit e institucioneve të vendit tim.

Për sa më sipër, në emër të pozicionit tim, doja t’ju parashtroja sa më poshtë:

Sipas kuadrit kushtetues e ligjor, prokuroria është konceptuar si organ i pavarur, që në ushtrimin e funksioneve të saj i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

Në nenin 8 të ligjit ”Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” është parashikuar se “Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq në emër të shtetit…”.

Referuar vendimit nr. 26, datë 4.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese, këto funksione te Prokurorit te Përgjithshëm ushtrohen prej tij si drejtues profesional e jo politik i prokurorisë, karakteristika të cilat i sigurojnë pavarësinë profesionale organit të prokurorisë.

Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese arsyeton se “Funksioni i organit të prokurorisë – si përfaqësues i akuzës në emër të shtetit (neni 148/1 i Kushtetutës), bën që ky organ të ketë të drejtën ekskluzive të vendosë ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e gjykimit. Kuvendi apo komisionet hetimore të tij nuk kanë tagrën e rishikimit të vendimit të marrë nga prokuroria dhe nuk mund ta shtrëngojnë këtë të ndryshojë vendimet e saj. Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar, se mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete. Parlamenti mund të ndikojë në institucionin e Prokurorisë vetëm nëpërmjet tagrave të tij ligjvënëse”.

Më tej, në nenin 53 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), parashikohet shprehimisht se:

1. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend ose komisionet parlamentare të paktën një herë në gjashtë muaj ose sa herë që kërkohet prej tyre. Raportimi përmban të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, si dhe drejtimet dhe përparësitë në luftën ndaj kriminalitetit.

2. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të dërguara me vendim të Kuvendit”.

Për më tepër, në nenin 4 “Parime të përgjithshme” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, pika 5, parashikohet shprehimisht se: “Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme”.

Gjithashtu, edhe vendimit i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 82, datë 23.01.2011, “Për ngritjen e komisionit hetimor …”, ka parashikuar se objekti i tij nuk shtrihet në ato çështje dhe rrethana për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar procedimin penal sipas ligjit”.

Siç vërehet, ekzistojnë një sërë dispozitash që rregullojnë marrëdhëniet e Prokurorit të Përgjithshëm me Kuvendin e Shqipërisë, ndaj, dua t’ju sqaroj se pjesëmarrja ime në çështjen objekt hetimi i komisionit hetimor është tërësisht e bazuar me pozicionin tim kushtetues si prokurori më i lartë.

Njëkohësisht, me këtë rast, ju bëj prezent gatishmërinë e Prokurorisë Shqiptare, në mbështetje të ligjit “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” dhe atij për “komisionet hetimore”, për të vlerësuar seriozisht çdo rekomandim që Kuvendi i Shqipërisë do të na përcjellë në përfundim të këtij hetimi parlamentar.

Prokuroria Shqiptare është duke kryer hetimet e saj për ngjarjet e ndodhura në datën 21 Janar. Këto hetime, po zhvillohen në mënyrë të gjithanshme, objektive dhe profesionale. Veprimtaria hetimore e drejtuar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tirane është orientuar si drejt hetimit te përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik ashtu edhe në drejtim të hetimit të ushtrimit të dhunës, nxitësve e organizatoreve te saj.

Çdo ngjarje kriminale e cila ka ndodhur ne datën 21 janar, është objekt i hetimit penal të prokurorisë dhe vetëm në përfundim të hetimit të kësaj çështje, Prokuroria Shqiptare do të ketë një konkluzion përfundimtar, mbështetur në rezultatet e një hetimi të plotë.

Ndaj, më duhet të vërej, se çdo çështje që komisioni parlamentar është duke hetuar rreth këtyre ngjarjeve, është në mënyrë integrale e lidhur me hetimin penal të fakteve që po heton vetë prokuroria.

Në këto kushte, për shkak të:

Pasjes së çështjes nën hetim dhe

Kufizimit ligjor që parashikon ligji “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” për të njoftuar kuvendin për çështje të veçanta

ju bëj me dije se nuk mund tu përgjigjem pyetjeve tuaja në funksion të objektit të hetimit të këtij komisioni.

Më duhet të respektoj ligjin dhe jam e vendosur të veproj vetëm mbi bazën e ligjit.

Ky është një qëndrim në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit.

mit/NOA

KOMENTE