English

Kur premton dhe nuk bën Hashim Thaçi

Nga Vetëvendosje

Kur Hashim Thaçi doli publikisht dhe deklaroi se ka marrë vendim për rritjen e pagave në sektorin publik, ne e patëm klasifikuar këtë si thjeshtë premtim parazgjedhor.

Meqenëse tashmë e dinim se premtimet parazgjedhore por as ato që i japin pas zgjedhjeve të këtyre politikanëve nuk realizohen kurrë, në reagimin tonë të 6 janarit i patëm treguar opinionit të gjerë se kjo është vetëm formë e fushatës. Pra premtim bosh, i tillë çfarë edhe doli të jetë.

Por Hashim Thaçi nuk u mjaftua vetëm me premtimin elektoral.

Ata i shkuan gënjeshtrës së tyre deri në fund. Afërsisht 70 shërbyesit civil të Kosovës e morrën vesh se pagat e tyre do të mbesin të njëjtë në ditën kur shkuan t’i tërheqin ato nga llogaritë e tyre bankare.

Qeveritarët në largim dhe zëdhënësit nuk ngurruan madje që deri në momentin e fundit të vazhdojnë së gënjyeri për pagat.

Edhe Hajredin Kuqi e edhe Memli Krasniqi edhe dje thoshin se pagat e shërbyesve civil do të rriten, ndërkohë që në mbrëmje u kuptua se e tëra kishte qenë vetëm farsë zgjedhore e Hashim Thaçit.

Kjo është e patolerueshme. Ky mashtrim i fundit i organizuar nga pushteti e tejkalon madje edhe vet stërkeqjen e deritashme të pushtetit. Deri tash gënjeshtrat kanë qenë më të distancuara në kohë.

Pushteti i Hashim Thaçit deri tash e lejonte një hapësirë disamuajshe mes premtimit dhe mosrealizimit të tij.

Tash ai këto të dyja po i bën në të njëjtën kohë. Paradite po gënjen, e pas dite po na tregon se ka gënjyer.

Kjo tregon se në çfarë paniku dhe frike nga humbja ka qenë Thaçi para zgjedhjeve, dhe se e njëjta panik dhe frikë po e ndjek edhe sot. Se një pushtet që rren kaq hapur, dhe një pushtet që i vjedh votat kaq hapur nuk e ka jetën e gjatë.

Natyrisht që tash pushtetit i mbetet që ta zëvendësojë këtë gënjeshtër me një tjetër.

Kanë filluar të thonë se pagat do të rriten kur ta miratojnë buxhetin. Si dhe i mbetet që të gjejë strehë për t’u fshehur.

E ky pushtet strehën e ka të sigurt: ai do të fshihet prapa ambasadave të huaja dhe pushtetit ekzekutiv të ndërkombëtarëve.

Se Thaçi nuk e ka guximin të del dhe ta pranojë publikisht se nuk ka plan për rritje të rrogave. Nuk është këtu problemi i shkeljeve ligjore e procedurale të vendimit të Thaçit për rritje.

Problemi është më i thellë: mos planifikimi i shpërndarjes së të ardhurave kombëtare nuk e lejon një rritje të tillë. Kjo nuk e shfajëson fare Thaçin, sepse planifikimin e shpenzimeve e ka bërë qeveria e tij më herët.

Këta kanë planifikuar shpenzime pa mbulesë si autoudha; pastaj dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që nënkupton një pjesë të të hyrave jotatimore buxhetore, pa asnjë euro; këta planifikojnë ta shesin PTK-në, pra ta privatizojnë profitin.

Është po kjo qeveri e cila kurrë nuk u kujdes për investime në bujqësi dhe nxitjen e mbrojtjen e prodhimit për të krijuar vende të reja të punës; është po kjo qeveri, si dhe të tjerat para kësaj, të cilët e përkrahen privatizimin që e shkatërroi potencialin industrial të Kosovës, e që rrjedhimisht e dëmtoi potencialin zhvillimor të vendit.

E natyrisht të gjitha këto t’i shkurtojnë të hyrat, dhe rrjedhimisht nuk kanë para për paga.

Ne i ftojmë sindikatat e Kosovës, të të gjitha sektorëve, që të vihen në anën e punëtorëve, e jot ë bëhen vegël e pushtetit. Deri tash është dashur ta kuptojnë të gjithë se të mira nga ky pushtet nuk ka.

Secila ditë me Hashim Thaçin është edhe një ditë e fundosjes më të thellë së Kosovës në mjerim.

KOMENTE