English

Policia Bashkiake refuzon çarmatosjen

Tiranë, 2 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana- Policia Bashkiake e Tiranës reagoi sot për kërkesën që ka dërguar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ku kërkohet çarmatosja e forcave të saj. Kjo polici i vë në dukje policisë se pajisja me armë e policisë së Bashkisë apo Komunës nuk është atribut i Policisë së Shtetit, por që i buron nga ligji organik i saj.

Po ashtu, vlerëson se heqja e së drejtës së punonjësve të Policisë së Bashkisë apo Komunës për t’u pajisur dhe mbajtur armë zjarri, nuk është absolutisht atribut i Policisë së Shtetit, “ndaj nuk është në të drejtën dhe tagrin tuaj të vendosni për heqjen e armëve të zjarrit, policëve bashkiake”.

Për më tepër Policia Bashkiake e Tiranës, i kujton Policisë së Shtetit se “çdo veprim në kundërshtim me përcaktimet ligjore, përbën shkelje të rëndë dhe me pasoja të ligjit”.

Kryeinspektori Zyhdi Dajti, thotë se nëse janë evidentuar punonjës të policisë bashkiake që kanë marrë pjesë në demonstratë, duke qenë të pajisur me armatim personal, policia të realizojë detyrimin ligjor, për t’ia referuar raste të tilla organit të prokurorisë, që kjo e fundit të mund të veprojë sipas ligjit.

Por thekson se “në dijeninë tonë, nuk rezulton që ndonjë prej personave të planëzuar me shërbim sipas ligjit me datë 21.01.2011, të ketë marrë pjesë në demonstratën e cituar nga ana juaj. Secili prej punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë, ka qenë në përmbushje të plotë të detyrave me të cilat e ngarkon ligji organik për “Organizimin dhe funksionimin e Policisë së Bashkisë dhe Komunës”.

Më poshtë vijon letra e plotë e zbardhur:

I nderuar Zoti Muça!

Pasi u njohëm me shkresën tuaj nr. Prot 689, datë 27.01.2011 (I protokolluar në Bashkinë e Tiranës me nr prot 933 datë 31.01.2011, në lidhje me përmbushjen e detyrimeve ligjore për mbajtjen dhe administrimin e armëve të zjarrit, ju bëjmë me dije se:

Policia Bashkiake Tiranë, më datë 21.01.2011, ashtu si çdo ditë tjetër të ushtrimit të veprimtarisë së saj, ka vepruar në përputhje të plotë me detyrat që i ngarkon ligji organik i saj, nr. 8224, datë 15.05.1997, për “Organizimin dhe funksionimin e Policisë Bashkiake dhe komunës, i ndryshuar.

Sjellim në vëmendjen tuaj se, pajisja me armë zjarri e punonjësve të Policisë së Bashkisë apo Komunës, është një atribut që vjen për shkak të parashikimit të veçantë në këtë ligj organik. Konkretisht, sipas nenit 14 të ligjit nr. 8224, datë 15.05.1997 për “Organizimin dhe funksionimin e Policisë Bashkiake dhe komunës, i ndryshuar, parashikohet se: “Policia e Bashkisë dhe e Komunës ka uniformën e saj, të ndryshme nga Policia e Shtetit, e cila miratohet nga ministri për Pushtetin Lokal. Punonjësit e saj kanë shenjën dalluese dhe numrin personal. Punonjësit e bashkisë dhe të Komunës pajisen me armë. Pajisja me armë dhe mënyra e ruajtjes dhe e mbajtjes së saj, rregullohen me akte të ministrit të Rendit Publik” (aktualisht ministër i brendshëm). Ndërsa në nenin 15 të këtij ligji, ministri i rendit publik miraton rregulloren tip të Policisë së Bashkisë dhe Komunës, rregullore e cila normon edhe pajisjen dhe përdorimin e armeve të zjarrit nga punonjësit e Policisë së Bashkisë dhe Komunës. Sa më sipër, është shumë e qartë se pajisja me armë zjarri e punonjësve të Policisë Bashkiake apo të Komunës, nuk bëhet sipas së njëjtës mënyrë me të cilën pajisen me armë zjarri personat fizikë apo juridikë nga komisariatet e policisë në vend. Ashtu sikundër pajisja me armë e policisë së Bashkisë apo Komunës nuk është atribut i Policisë së Shtetit, por që i buron nga ligji organik i saj, edhe heqja e së drejtës së punonjësve të Policisë së Bashkisë apo Komunës për t’u pajisur dhe mbajtur armë zjarri, nuk është absolutisht atribut i Policisë së Shtetit. Ndaj nuk është në të drejtën dhe tagrin tuaj të vendosni për heqjen e armëve të zjarrit, policëve bashkiake. Çdo veprim në kundërshtim me përcaktimet ligjore, përbën shkelje të rëndë dhe me pasoja të ligjit.

Së fundit, nëse nga ana juaj janë evidentuar punonjës të policisë bashkiake që kanë marrë pjesë në demonstratë, duke qenë të pajisur me armatim personal, ju lutemi të realizoni detyrimin tuaj ligjor, për t’ia referuar raste të tilla organit të prokurorisë, që kjo e fundit të mund të veprojë sipas ligjit.

Në dijeninë tonë, nuk rezulton që ndonjë prej personave të planëzuar me shërbim sipas ligjit me datë 21.01.2011, të ketë marrë pjesë në demonstratën e cituar nga ana juaj. Secili prej punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë, ka qenë në përmbushje të plotë të detyrave me të cilat e ngarkon ligji organik nr. 8224, datë 15.05.1997, për “Organizimin dhe funksionimin e Policisë së Bashkisë dhe Komunës” (i ndryshuar).

Zyhdi Dajti, Kryeinspektor

e.t/NOA

KOMENTE