English

BE: Zgjedhje të parakohshme? Mbështetje zero

Tiranë, 3 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana - “Zgjedhjet e vitit 2009 janë një kapitull i mbyllur. Në Bashkimin Evropian ka zero mbështetje për zgjedhje të parakohshme apo për bojkot të zgjedhjeve lokale. Përqendrimi tashmë mbi zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 21 janarit, përgatitjen për zgjedhjet e 8 majit 2011 dhe vijimin me axhendën evropiane të Shqipërisë.

Kështu ka deklaruar sot Drejtori Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak i cili u prit nga Kryeministri Sali Berisha, njofton kabineti qeveritar.

Të njëjtat gjëra, z.Lajçak i tha edhe në konferencën për shtyp që sapo përfundoi.

Kurse Berisha e falënderoi zotin Lajçak me mirënjohje për mbështetje që Bashkimi Europian, Këshilli dhe Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE, Ashton, dhe institucionet e tjera të BE po i japin Shqipërisë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë të krijuar si pasojë e përpjekjeve të liderit të opozitës për të marrë pushtetin me dhunë.

I dërguari Lajçak i rishprehu kreut të qeverisë shqiptare vlerësimin e tij dhe të BE-së për qëndrimin konstruktiv e të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare dhe rolin e Kryeministrit Berisha përfshirë vendimin për anulimin e manifestimit dhe nxitjes së institucioneve për hetim dhe zbardhje të plotë të ngjarjeve që ndodhen në 21 janar.

Më tej, Lajçak i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha se BE është totalisht i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë dhe për të vijuar procesin e integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

“BE e konsideron diskutimin mbi zgjedhjet e 2009 si një kapitull i mbyllur përfundimisht bazuar në vlerësimin e bërë nga raporti i OSBE / ODIHR!”, u shpreh Lajcák, duke shtuar se “në Bashkimin Evropian ka zero mbështetje për zgjedhje të parakohshme apo për bojkot të zgjedhjeve lokale”.

Më tej, Lajçak theksoi se është koha tashmë që Shqipëria të fokusohet në hapat e mëtejshëm përpara me axhendën evropiane.

Ai u shpreh se për këtë kërkohet hetim për zbardhjen e plotë e të paanshme të ngjarjeve të 21 dhjetorit në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor, e së dyti shmangia e çdo lloj akti të mëtejshëm provokues duke i konsideruar në këtë kontekst demonstratat si mbartëse të një risku serioz në këtë periudhë.

Lajçak theksoi nevojën për uljen e toneve dhe retorikës nga të gjitha palët, kthimin e opozitës dhe restaurimin e dialogut politik në Parlament për axhendën e integrimit evropian dhe statusit të vendit kandidat dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të parashtruar në opinionin e Komisionit Evropian, dhe më e rëndësishmja përqendrimin e të gjitha energjive në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në këtë kontekst i dërguari Lajçak theksoi se Bashkimi Evropian është kundra betejave politike jashtë kuadrit institucional, kundra çdo aktiviteti që mund të provokojë akte dhune të mëtejshme, asnjë mbështetje për bojkotim dhe bllokim të procesit zgjedhor, cilido që loz me këto tre karta humbet çdo kredibilitet në sytë e ndërkombëtarëve.

Duke e falënderuar zotin Lajçak për mesazhet e rëndësishme të tij, Kryeministri Berisha theksoi se kushti vendimtar i zgjidhjes së kësaj situate është hetimi i plotë dhe transparent i 21 janarit në të gjitha drejtimet dhe se ai është i vendosur që çdo gjë të zgjidhet në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor. “Qëndrimet e personave të caktuar në këto institucione nuk lëkundin besimin tim tek institucionet, roli dhe funksionimi i tyre”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri, gjithashtu, shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është në këtë moment i domosdoshëm për kapërcimin e situatës. Shqipëria, - tha Kryeministri, - është Republikë Parlamentare, ndaj dhe hezitimi i drejtuesve të ndonjë institucioni për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese ndaj Kuvendit të Shqipërisë bie ndesh me këto të fundit.

Në këtë kontekst, Berisha e siguroi zotin Lajçak se Komisioni Hetimor Parlamentar po investigon vetëm veprimtarinë e institucioneve dhe se ka thërritur për informacion personalitetet në cilësinë e krerëve të institucioneve në raport me zbatimin e ligjit siç parashikohet në nenin 14 të ligjit për Komisionet Parlamentare, dhe se çdo fakt, dokument apo të dhëna që Komisioni do të mbledhë gjatë veprimtarisë së tij do ti dërgohet, ashtu siç përcakton ligji, Prokurorisë së Përgjithshme për të ndihmuar në hetimet e mëtejshme e të plotë të ngjarjeve.

Kryeministri e ftoi opozitën të zërë vendin e saj në Komisionin Hetimor dhe të ofrojë kontributin e saj aktiv në veprimtarinë e tij, duke theksuar se anëtarët e opozitës në këtë Komision kanë të garantuar me ligj rolin e tyre në këtë proces.

e.t/NOA

KOMENTE