English

Drejtoria e Tatimeve: Pajisjet fiskale po vendosen në përputhje me ligjin

Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet një njoftimi për mediat ka dhënë sqarim mbi reagimin e disa tatimpaguesve tregtues hidrokarburesh për mosvendosje të pajisjeve fiskale.

Në njoftim thuhet se, “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se: “Vendosja e pajisjeve fiskale, po realizohet në përputhje të plotë me Ligjin dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij dhe përbën një prioritet të punës së Administratës Tatimore në vijimësi. Të gjithë tatimpaguesit, janë vënë në dijeni në kohë për afatet dhe procedurat e pajisjes me këto aparate dhe kjo përbën një obligim ligjor për të gjithë tatimpaguesit”.

Më tej Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shprehet se, Ministria e Financave, dhe Administrata Tatimore e autorizuar prej saj për kontrollin e këtij procesi, nuk ndërhyn në çmimet e shitjes së pajisjeve fiskale, që diktohen nga tregu i lirë dhe tatimpaguesi mund të zgjedhë vetë shoqërinë në të cilën dëshiron ta blejë pajisjen fiskale dhe të kontraktojë shërbimin në vijimësi kundrejt një kontrate tregtare.

Në njoftim thuhet se, “Pajisjet fiskale të sektorit të hidrokarbureve, janë me karakteristika teknike të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave”.

Më tej ky institucion sqaron se, madhësia e shifrave të shprehura në mënyrë spekullative, duke u dhjetëfishuar në raport me kapacitetet magazinuese të gazit të lëngshëm në Petrolifera, bëhet me qëllimin për të mbuluar abuzimet me ligjin nëpërmjet sensibilizimit të konsumatoreve dhe opinionit publik.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve, sqaroi se është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj të kualifikuar, për cilindo tatimpagues, për të realizuar përfundimisht këtë proces, i cili është i pakthyeshëm dhe ofron një standard bashkëkohor në marrëdhëniet e administratës tatimore me të gjithë tatimpaguesit.

a.y/NOA

KOMENTE