English

Lajçak pas Presidentit, takim me Berishën dhe Ramën

Tiranë, 3 shkurt, NOA – Ka mbërritur në Tiranë për të dytën herë i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili pas takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi zhvilloi një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Më pas Lajçak do të takohet edhe me Shefin e Opozitës, Edi Rama.

Në fund të takimeve i dërguari i BE-së, Miroslav Lajčák, i cili është Drejtor Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 18.00, e cila do të mbahet tek Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian në Tiranë, që ndodhet në Rr. Ismail Qemali, Nr 32.

Në këtë konferencë do të jetë i pranishëm edhe Ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi.

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i komisioneres për Punët e Jashtme në BE, baroneshës Kathrin Ashton rikthehet në Tiranë me misionin për të ndërmjetësuar nisjen e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës me synimin gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e situatës politike, e mbërritur në një pikë kritike pas demonstratës së 21 janarit ku u shënuan veç akteve të dhunës ndaj policisë edhe tre të demonstrues të vrarë.

Gjithashtu lajtmotiv i takimeve me autoritetet e larta të vendit do të jetë edhe hetimi i paanshëm dhe i pavarur i ngjarjeve të 21 janarit, por edhe mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Gjithashtu mendohet se pjesë e bisedës do të jetë edhe respektimi i fjalës së lirë dhe pavarësisë së medias, e cila ditët e fundit ka nxehur debatin në vend, pas kërkimit të tabulateve telefonikë të katër gazetarëve nga ana e Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit, me argumentin se komisioni do të hetojë mbi biseda të mundshme të gazetarëve apo për marrjen e informacioneve të mundshme rreth të ashtuquajturit puç të 21 janarit, i cili është në objektin e hetimit të këtij komisioni që në përbërje ka vetëm deputetë të mazhorancës.

mit/NOA

KOMENTE