English

Meta: Zilia e liberalizimit të vizave solli dhunë

Shkodër, 4 shkurt 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është ndalur sot në turin e tij para elektoral në qytetin e Shkodrës.

Në një takim të zhvilluar në Teatrin “Migjeni”, Meta i ka uruar mirëseardhjen anëtarëve më të rinj të LSI-së të ardhur nga Partia Socialiste.

Meta duke shfrytëzuar rastin ka falënderuar gjithë popullin e Shkodrës për solidaritetin e treguar gjatë fatkeqësisë natyre.

Më tej ai është shprehur edhe por videon e publikuar pak koha më parë, mes Metës dhe Priftit.

Gjatë fjalës së tij ai ka thënë se, videoja e montuar do çmontohet si politika e dhunës.

“Ata politikanë që urdhëruan dhe fabrikuan në televizionet e tyre në Tiranë lajmet se vdiq një këtu e se vdiq një atje nga përmbytja vetëm për ta përdorur si një kapital politik kundër qeverisë, për të luajtur me një fatkeqësi natyrore dhe njerëzore, dhe ju i dini shumë mirë se cilët janë ata. Edhe unë e di po kaq mirë sa ju se cilët janë ata dhe se cili është ai më kryesori. Më kryesori është ai i cili mori përsipër të montojë një video televizive dhe ne në mënyrë shumë ligjore do ta çmontojmë jo vetëm atë, por gjithë politikën e dhunës, të urrejtjes dhe të vëllavrasjes, që ai kërkon të fusë midis shqiptarëve dhe midis shkodranëve”, u shpreh ai.

Kreu i LSI-së deklaroi më tej se: “Montoi një video jo thjesht për të dëmtuar Ilir Metën apo forcën politike që unë përfaqësoj, jo thjesht dhe vetëm për të dëmtuar një qeveri dhe një maxhorancë legjitime, por montoi me vetëdije të plotë një video dhe doli garant para të gjithë shqiptarëve se ajo ishte e vërtetë vetëm e vetëm për të frymëzuar dhe për të justifikuar politikën e dhunës dhe ai është përgjegjësi kryesor për vrasjen e tre qytetarëve të pafajshëm. Është përgjegjësi kryesor për plagosjen e dhjetëra policëve dhe qytetarëve të pafajshëm. Është fajtor kryesor për dëmtimin e imazhit në mënyrë krejtësisht të pamerituar të Shqipërisë”.

Ndërsa për ngjarjet e 21 janarit ai theksoi se, “Dhuna u nxit për të prishur imazhìn e Shqipërisë pas liberalizimit të vizave dhe se politika e dhunës u zhvillua kundër zhvillimit ekonomik e turizmit”.

Ndër të tjera Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të fitojë në zgjedhjet e 8 majit.

a.y/NOA

KOMENTE