English

Opozita, sot demonstrata në 4 qytete të vendit

Tiranë, 4 shkurt, NOA – Aksioni opozitar kundër qeverisjes aktuale, vazhdon ditën e sotme përmes 4 demonstratave të reja që do të mbahen në qytete të ndryshme të vendit.

Të paralajmëruara nga selia rozë për sot, ato do të zhvillohen përkatësisht në qytetet Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Lezhë.

Siç ka programuar PS-ja, në kryeqytet do të grumbullohen kryesisht mbështetësit e opozitës nga Tirana dhe Durrësi; në Vlorë do të grumbullohen ata të Vlorës, Beratit e Fierit; në Lezhë do të mblidhen mbështetësit e opozitës nga veriu i vendit; ndërsa në Korçë do të mblidhen qytetarë të Elbasanit, Korçës dhe Pogradecit. Bëhet me dije paraprakisht se për këto demonstrata janë hedhur thirrjet që ato të jenë paqësore, ndërsa në duar do të mbahen pankarta të ndryshme kundër qeverisë Berisha.

Demonstratat e sotme pasojnë atë homazh të zhvilluar më 28 janar, në kujtim të 3 të vrarëve në demonstratën e dhunshme të 21 Janarit.

Ndërkaq, bëhet me dije ndër të tjera, se sot opozita ka shmangur në Tiranë, tubimin para godinës së Kryeministrisë.

n.e/NOA

KOMENTE