English

Policia e Shkodrës parandalon 1 vrasje, kap 4 autorët

Shkodër, 4 shkurt, NOA – Forcat e policisë së Shkodrës, përmes operacionit të koduar “Kalaja 2” kanë bërë të mundur parandalimin e një vrasje, si dhe arrestimin e 4 personave.

Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, ata janë Kristian Gjyrgji, vjeç 30, lindur në Lushnjë e student në Tiranë; Ajet Hoti, vjeç 20, lindur në Shkodër dhe vëllai i tij Saimiri 24 vjeç, që të dy biznesmenë artikujsh ushqimorë dhe Naim Hotaj, vjeç 19, lindur e banues në Malësinë e Madhe.

Arrestimi i tyre u bë si rezultat i një pune të mirëorganizuar operacionale, ku në bazë të informacioneve të marra për veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve dhe ndërhyrjes së menjëhershme policore, është bërë e mundur parandalimi i një vrasje.

Ndërsa është mundësuar edhe sekuestrimi i një sërë provash materiale, konkretisht 400 gr kokainë, 2 automatikë, 5 kallëpe tritoli, dylbi pushke snajper, automjet tip Fiat-Punto, automjet tip Volksvagen-Golf, çiklomotor, 6 celularë.

U kryen të gjitha veprimet paraprake hetimore e procedurale, ndërsa materialet në ngarkim të të lartpërmendurve i kaluan prokurorisë për veprën penale të “Vrasjes së ngelur në tentativë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 76-22 , 283/2 dhe 278/2 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE