English

UGSH: Tërheqja nga tabulatet, një vendim i arsyes

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Tërheqja e komisionit parlamentar hetimor për ngjarjet e 21 Janarit, nga kërkesa për tabulatet e telefonave të gazetarëve, është një vendim i arsyes.

Kështu u shpreh sot Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes një deklarate të posaçme, duke përshëndetur vendimin e pjestarëve të mazhorancës në komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit 2011, për tërheqje nga kërkesa për hetimin e tabulateve të telefonave personalë të gazetarëve Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakuli e Mero Baze.

“Kjo tërheqje pas apeleve dhe reagimeve të shumta të ardhura nga komuniteti i gazetarëve dhe organizata prestigjioze të gazetarëve në botë, është një rikthim në arsyen e drejtë për të mos cënuar të drejtat e gazetarëve dhe sidomos lirinë e mediave në Shqipëri”, citon UGSH.

Duke përfunduar se Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, si organizata më e madhe dhe reaguesja e parë ndaj këtij precedenti të rrezikshëm, shpreh keqardhjen që ky vendim i ardhur nga një komision me përbërje monopartiake, cënoi rëndë imazhin e situatës dhe gjendjes së lirisë së mediave shqiptare në botë, duke e rikthyer Shqipërinë në vëmendjen e organizatave tona simotra në Europë dhe në botë.

n.e/NOA

KOMENTE