English

Mbërrin në familje trupi i pajetë i Aleks Nikaj

Lezhë, 6 shkurt 2011, NOA- (Update)- Pak minuta më parë ka mbërritur në familjen e tij në qytetin e Lezhës trupi i pajetë i viktimës së katërt të demonstratës së 21 janarit.

Nën një pikëllim të thellë, viktima Aleks Nikaj është pritur nga dhjetra e qindra qytetarë, të cilët kanë vajtuar së bashku fatin e 35 vjeçarit.

Jo vetëm familjarë por edhe përfaqësues të Partisë Socialiste i janë gjendur pranë viktimës për ti dhënë lamtumirën e fundit.

Aleks Nikaj, viktima e katërt e 21 janarit ka lënë pas dy fëmijë jetimë dhe bashkëshorten e tij, ndërsa ceremonia mortore e tij pritet të bëhet ditën e nesërme në orën 13.00.

Aleks Nikaj u plagos me plumb në kokë gjatë demonstratës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë me armë zjarri edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrto.

Pas disa ditësh kurim në Spitalin Ushtarak, ai u dërgua në Turqi për një kurim më të specializuar, por edhe aty nuk mundi të fitonte betejën e tij.

Për dy javë rresht Nikaj qëndroi në vdekje klinike, por pa mundur të shpëtojë pasi plumbi i kishte shkatërruar pjesën jetike të trurit.

Gjatë mbërritjes së trupit të pajetë në aeroportin “Nënë Tereza”, trupi i pajetë i tij u prit nga familjarë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të cilët të kryesuar nga kreu i saj Edi Rama, zhvilluan një marshim-homazh në aeroport, në nder të viktimës.

a.y/NOA

KOMENTE