English

Shumica e shqiptarëve kundër qeverisë Gruevski

Shkup, 6 shkurt, NOA - Anketa e të përditshmes “Dnevnik” ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve ndaj qeverisë aktuale në Maqedoni, e cila drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Sipas kësaj ankete, një pjesë e madhe e qytetarëve vlerësojnë se qeveria nuk është e aftë që të menaxhojë me problemet me të cilët përballet Maqedonia dhe nuk mund ti besohet.

Ata mendojnë se problemet e qytetarëve më mirë do të zgjidheshin nga ndonjë qeveri e udhëhequr nga LSDM-ja. Anketa e së përditshmes maqedonase tregon se shqiptarët janë më kritik ndaj qeverisë.

Një pjesë e madhe e qytetarëve vlerësojnë se, kryeministri Nikolla Gruevski, mban llogari vetëm për veten e tij dhe të partisë që drejton, ndërsa për shtetin nuk mund ti besohet. Në këtë drejtim, edhe lideri i opozitës nuk gëzon ndonjë mbështetje dhe besueshmëri nga popullata.

Sipas këtij sondazhi, nëse nesër mbahen zgjedhje, për VMRO–DPMNE-në do të kishin votuar 25,4 për qind. BDI-së mbështetjen i kanë dhënë 8,4 për qind të qytetarëve, ndërsa PDSH-së 3, 6 për qind. Për partinë e udhëhequr nga Branko Cërvenkovski do të votonin 15,8 për qind të qytetarëve.

NOA/INA

KOMENTE