English

KQZ, Ristani: Bojkoti, opozita po shkel ligjin, s’kemi tagër të ndërhyjmë

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Kur vetëm tre muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit, dhe kur në sipërfaqe nuk duket asnjë marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, e cila kërkon shtyrjen e tyre, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani në mbledhjen e sotme ka deklaruar se bojkoti i mbledhjeve të KQZ-së shkel rëndë ligjin. Ristani e bëri këtë deklaratë gjatë mbledhjes ku vetëm me anëtarët e mazhorancës KQZ vendosi për ngritjen e Komisioneve Zgjedhore Administrative Zonale, për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Ristani foli edhe për vonesat në konstituimin e KZAZ-ve për zgjedhjet e 8 majit duke theksuar se “KQZ në përputhje me Kodin Zgjedhor do të vazhdojë më tej me konstituimin e KZAZ-ve, komisionerë të të cilëve do të përzgjidhen mësues, pedagogë, avokatë dhe studentë.

Krytari i KQZ-së pohoi gjatë fjalës së tij se mungesa e opozitës shkel rëndë ligjin për zgjedhjet.

Ristani bëri me dije se KQZ-ja nuk ka tagër ligjore për të reaguar në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që ai theksoi se për bojkotin e KQZ-së nga opozita ai ka vënë në dijeni edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Po sot ka qenë edhe Ambasadori e Prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, i cili duke shprehur shqetësimin për vonesat në këtë process u bëri thirrje partive politike të dorëzojnë në mënyrë sa më urgjente propozimet për komisionerët e tyre në KQZ.

Ai nënvizoi se deri tani asnjë nga partitë politike nuk ka respektuar afatet për dorëzimin e këtyre emrave, afat i përcaktuar për në 24 janar.

Wollfarth theksoi se dorëzimi në kohën e caktuar do të pasonte me përgatitjen sipas standardeve të zgjedhjeve vendore.

mit/NOA

KOMENTE