English

Burg pa afat gardistit Llupo, dyshohet se vrau Veizin

Tiranë, 10 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani – Me dyer të mbyllura për mediat, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Shefin e Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesit nga Gjirokastra Ziver Veizi gjatë demonstratës së opozitës në 21 janar.

Vendimi i Gjykatës erdhi duke u bazuar në argumentin e prokurorëve të çështjes se gardisti Agim Llupo ka tejkaluar kompetencat e tij duke qëlluar mbi turmën jashtë rrethimit të godinës së kryeministrisë në të cilën ai ndodhej në detyrë.

Edhe pse avokati i Llupos, Genc Gjokutaj kërkoi një masë më të butë sigurie për gardistin Agim Llupo për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, trupi gjykues nuk e mori parasysh duke vendosur arrest me burg për gardistin e Republikës.

Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës Agim Llupo u arrestua dy ditë më parë me urdhër të prokurorisë si autori i vrasjes së Ziver Veizit, jashtë derës së godinës së kryeministrisë.

Edhe pse gardisti Llupo e mohoi kategorikisht vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi ai theksoi gjatë marrjes në pyetje se i është përmbajtur vetëm urdhrave dhe se nuk e ka drejtuar armën drejt demonstruesve.

Ka qenë ky deponim që ka bërë që Prokuroria të ndalojë edhe numrin dy të Gardës së republikës, Alfred Ahmetcenaj, i cili sipas prokurorëve dyshohet të ketë urdhëruar gardistin Agim Llupo të shtjerë mbi turmën, duke vrarë katër demonstrues në 21 janar.

Akuzat ndaj Llupos u vërtetuan nga ekspertiza balistike e cila vërtetoi se demonstruesi Ziver Veizi u vra me plumbat e automatikut MP 5 me kalibër 9 mm, një armë që ishte në përdorim nga gardisti Agim Llupo.

Por, në pranga janë vënë vetëm dy gardistë, pasi gardistët e tjerë, për të cilët ishin lëshuar urdhër-ndalime nga Prokuroria që në 22 janar, një ditë pas demonstratës së 21 janarit janë lënë të lirë pas dorëzimit të tyre vullnetarisht në Prokurori një ditë më parë, për të qenë në dispozicion të prokurorëve.

mit/NOA

KOMENTE