English

Korrupsioni, zgjedhjet e protestat

Nga Tom Kantrimen

Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA

ENGLISH VERSION

Si miq të Shqipërisë, kemi nevojë t’u themi se jemi të trishtuar nga vdekjet e katër qytetarëve shqiptare në ngjarjet e fundit. Kjo nuk është një deklaratë politike, kjo nuk është një deklaratë ligjore, por vetëm një deklaratë njerëzore që reflekton ndjenjat që amerikanët dhe shqiptarët kanë për njëri tjetrin. Më lejoni gjithashtu të filloj duke thënë se nuk është qëllimi ynë në deklaratat tona publike apo në takimet tona private që të mbështesim apo të kundërshtojmë qëndrimet e njërës apo tjetrës palë. Shqetësimi ynë është për popullin shqiptar dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe unë shpresoj që populli shqiptar do të dëgjojë drejtpërsëdrejti çfarë miqtë e tyre të mirë kanë për të thënë dhe jo vetëm nëpërmjet prizmit të partive politike.

Shqipëria është një vend unik por ngjarjet e fundit nuk janë aq unike sa ç’mund të mendohet. Shqipëria nuk është e vetmja demokraci perëndimore apo i vetmi vend anëtar i NATO-s që ka problem me korrupsionin. Shqipëria nuk është e vetmja demokraci europiane që ka patur eksperiencë me zgjedhje të debatueshme dhe të papërsosura. Dhe Shqipëria nuk është e vetmja demokraci europiane që ka parë protestat të përfundojnë në dhunë. Të gjitha këto ngjarje, në një demokraci kushtetuese, duhet të trajtohen me mjete kushtetuese. Dhe më lejoni t’ju jap pak më tepër detaje për atë që kam parasysh në secilën nga këto fusha: korrupsioni, zgjedhjet dhe protestat.

Si Ambasadori Arvizu ashtu edhe unë të dy kemi thënë më parë se korrupsioni është një problem në shumë nivele në Shqipëri; kjo nuk përbën lajm për ju. Është një problem në qeverinë kombëtare, qeveritë vendore, në parti dhe në biznese dhe në çdo rast përbën vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë. Dhe e pengon Shqipërinë në arritjen e të ardhmes europiane dhe potencialin e saj ekonomik. Shtetet e Bashkuara janë përpjekur shumë që, nëpërmjet investimit tonë me asistencë, të ndërtojnë mjetet kushtetuese për luftën kundër korrupsionit. Nevojitet një prokurori e pavarur dhe një gjyqësor i pavarur që mund ta bëjnë punën e tyre pa frikën e pasojave politike. Dhe nevojitet bashkëpunimi i zyrtarëve qeveritarë, në qeverinë kombëtarë apo ato lokale, edhe kur është politikisht e dhimbshme. Dhe sigurisht që kërkon median e lirë të jetë vigjilente dhe e përgjegjshme në raportimin e këtyre çështjeve.

Sa për zgjedhjet, vetë vendi ynë ka pasur një eksperiencë jo të largët me zgjedhje të debatueshme dhe të kontestuara dhe ne i trajtojmë këto pyetje nëpërmjet mjeteve kushtetuese. Në rastin e Shqipërisë është e rëndësishme që këto mosmarrëveshje mbi zgjedhjet e kaluara të adresohen nëpërmjet mjeteve kushtetuese që janë të përcaktuara këtu. Është edhe më e rëndësishme që partitë dhe qytetarët të mësojnë nga secila eksperiencë zgjedhjet zgjedhjesh të papërsosura. OSBE dhe ODIHR kanë ndihmuar duke krijuar një listë gjithëpërfshirëse e asaj që duhet të rregullohet në sistemin zgjedhor shqiptar. Dhe përsëris, siç e kam thënë dhe më parë, zhgënjimi ynë është që qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur një mënyrë për të punuar së bashku për të gjetur kompromis dhe për të miratuar pikërisht këto rekomandime.

Kur ka deficit në demokraci përgjigja e natyrshme është më shumë demokraci. Dhe kjo është pse është besimi ynë i patundur që zgjedhjet vendore që janë planifikuar për këtë vit duhet të kryhen, Presidenti i Shqipërisë ka përdorur autoritetin e tij kushtetues për të përcaktuar datën e këtyre zgjedhjeve dhe sigurisht ne e respektojmë autoritetin e tij kushtetues. Populli i Shqipërise meriton të drejtën për të zgjedhur midis partive, gjë që do të thotë se partitë duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje. Bllokimi i këtyre zgjedhjeve është një shembull veprimi jo-kushtetues dhe antikushtetues që nuk i ka hije një demokracie europiane.

Përsa i përket protestave dhe dhunës, siç e thashë, në çdo demokraci perëndimore, protestat paqësore janë një e drejtë e popullit, dhe qeveria në vende të tilla ka detyrimin që të mos i pengojë dhe të mos përdorë dhunën kundër protestuesve paqësorë. Gjithashtu edhe protestuesit kanë përgjegjësinë t’i përmbahen jo vetëm me fjalë, por edhe në praktikë, protestimit në mënyrë paqësore. Kjo e drejtë është ushtruar dhe është mbrojtur qindra herë në vitet e fundit. Pyetja që kemi është pse pas qindra protestash paqësore, protesta e 21 Janarit përfundoi në dhunë? Unë nuk kam një përgjigje për këtë pyetje dhe mendoj se është papërgjegjshmëri të spekulohet mbi përgjigjen e kësaj pyetjeje. Nga ana tjetër ne kemi mjetet kushtetuese për të adresuar këtë pyetje dhe kjo është përpjekja e Prokurores se Përgjithshme për të hetuar ngjarjet e 21 Janarit. Ne mbështesim pavarësinë e Prokurores së Përgjithshme e cila duhet të jetë në gjendje të bëjë punën e saj pa presion politik. Ne jemi krenarë që japim asistencë teknike për të rritur besueshmërinë e hetimit.

Përveç mbështetjes tonë, prokurori gjithashtu ka përgjegjësi serioze. Dhe në pikëpamjen tonë ka dy përgjegjësi të rëndësishme që duhet të respektohen. E para është nëpërmjet hetimit të plotë dhe të pavarur, të hetohen veprimet e të gjithë aktorëve të 21 Janarit dhe kjo përfshin veprimet e policisë dhe forcave të sigurisë, veprimet e demonstruesve dhe veprimet e organizatorëve. Dhe sigurisht që ajo duhet të ketë mundësinë të marrë në pyetje njerëz në të gjitha këto kategori në mënyrë që të marrë një përgjigje për këtë pyetje. Së dyti, prokurorja e përgjithshme ka një detyrim në pikëpamjen tonë që të mbrojë sigurinë e informacionit. E kuptoj që ju si gazetarë jeni intensivisht të interesuar në punën e prokurores së përgjithshme, por botimet e përditshme të informacionit shtypit, informacion që duhet të mbahet konfidencial, nuk e ndihmon prokuroren e përgjithshme në përpjekjen e saj për të patur një hetim të pandikuar nga presioni politik. Tani ju kërkoj ndjesë që po ju jap një leksion universiteti, apo vetëm një leksion gjimnazi, mbi atë si bëhet qeverisja e mirë, por e trajtova gjatë sepse ne kemi vërtet nevojë për popullin e Shqipërisë të insistojë në mjetet kushtetuese të mbrojtjes së Kushtetutës së tyre.

Politika mund të duket sikur është gjithçka, por ka vlera më të mëdha kur angazhohesh për të qenë anëtar i NATO-s dhe kur aspiron të bëhesh anëtar i Bashkimit Europian. Si NATO ashtu edhe BE janë organizata të bazuara në vlera, dhe këto vlera janë më të mëdha se interesat politike të njërës apo tjetrës palë.

Ambasadori Arvizu ka bërë një punë të shkëlqyer këtu duke përcjellë çdo shqetësim që ne kemi për situatën. Dhe gjithashtu një punë të shkëlqyer javën e kaluar në Uashington për t’ia përshkruar situatën lidershipit tonë dhe për të afirmuar përqasjen tonë. Dhe jam gjithashtu i kënaqur që komunikimi mes Bashkimit Europian, vendeve anëtarë të BE-së, OSBE-së, dhe Shteteve të Bashkuara, ka qenë ekzemplar. Dhe ne qëndrojmë të bashkuar me ata, aleatët tanë në Europë, kur duam të shohim popullin shqiptar të gëzojë demokracinë kushtetuese për të cilën ata kanë punuar kaq fort për ta vendosur.

KOMENTE