English

Plas skandal me Priftin, filmoi veten duke marrë 70 mijë euro

Tiranë, 12 shkurt, NOA - Thellohet edhe më tepër skandali i përgjimeve. Këtë herë është vet ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ai që ka rënë "viktimë" e përgjimeve të tija.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se ky institucion ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të deputetit, Prifti.

Shkak është bërë një tjetër video e "dorëzuar" nga ish-ministri ku ai vetë shfaqet duke marrë rreth 70 mijë euro në dorë nga një zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë.

Historia e kësaj videoje ka dalë gjatë hetimeve të prokurorisë pas denoncimit që Dritan Prifti i ka bërë ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Burime nga Prokuroria saktësojnë se faktet kanë dalë në dritë pasi ish-ministri dorëzoi te ekspertët e organit të akuzës orën me të cilën kishte filmuar ish-shefin e tij në zyrë.

Aparati i përgjimit është marrë nga ekspertët amerikanë që po kryejnë hetimet dhe është vënë re se brenda saj ishte dhe një video tjetër, të cilën Prifti kishte kujtuar se e kishte fshirë nga memoria. Në këtë video shfaqet ish-ministri Dritan Prifti dhe ish-zëvendësministri Leonard Beqiri duke diskutuar për një aferë me vlerë 70 mijë euro.

Prifti i ka dorëzuar materialet filmike në datën 13 janar, duke qenë i bindur se brenda orës që bëri përgjimin ishte vetëm videoja mes tij dhe Ilir Metës.

Në kërkesën e Prokurorisë theksohet se "nga ekspertimi teknik i provave materiale ka rezultuar se në to ekziston edhe një video tjetër, e cila ishte fshirë, dhe është rikuperuar nga eksperti. Kjo video është e datës 11 mars, në të cilën janë regjistruar 2 persona, njëri ndër të cilët është ish-ministri I METE, shtetasi Dritan Prifti dhe ish-zëvendësministri, shtetasi Leonard Beqiri.

Këta shtetas, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare, të parregullta, që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike dhe një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë prej 70 mijë eurosh", theksohet në kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për Kuvendin.

Për këtë arsye Prokuroria ka vendosur që pasditen e djeshme të kërkojë nga Kuvendi nisjen e procedimit penal ndaj ish-ministrit, Dritan Prifti për korrupsion pasiv.

Gjë që do të thotë heqjen e imunitetit të tij si deputet i Kuvendit. Kërkesa e prokurorisë mbanë mbishkrimin sekret dhe i është dorëzuar dje Kuvendit.

NOA

KOMENTE