English

Skenarë ogurzinj për Maqedoninë

Shkup, 12 shkurt, NOA - Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni si dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare shprehin shqetësimin për tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndarjeve të etnike në vend të cilat sipas tyre po arrijnë një nivel të paprecedent.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) vlerëson se, politikat qeveritare të udhëhequra nga kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski mund të thellojnë hendekun mes shqiptarëve dhe maqedonasve, dy komunitetet më të mëdha në vend.

“Politikat provokuese të kryeministrit aktual ndaj shqiptarëve etnik, por edhe provokimet tjera që bëhet në raport me fqinjët, sidomos grekët dhe bullgarët mund të çojnë edhe deri në ndarjen e Maqedonisë, e cila do të ishte fatale për gjithë rajonin dhe më gjerë. Padëgjueshmëria e kryeministrit Gruevski ndaj komunitetit ndërkombëtarë si dhe mos interesimi i tij për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike janë argumente që flasin hapur se ky lider ka qëllimet të errëta për Maqedoninë”, vlerëson kryetari i OBRIE, Muhamer Pajaziti.

Në anën tjetër, nuk janë të rastësishme as deklaratat e kreut të partisë shqiptare, pjesë e qeverisë Gruevski, i cili brenda një kohe të shkurtër, pa e pyetur askush shprehet kundër ndarjes së Maqedonisë. Kjo sikur dëshmon një lloj presioni ndaj tij, për të përsëritur deklaratat e tij të mëparshme lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, edhe publicisti i njohur Veton Surroi ditë më parë deklaroi se Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina mund të shkatërrohen.

“Me qëllim të të kuptuarit të shenjave të këtyre rrugëve, shpërbërja duhet të përkufizohet si hapi tjetër negativ pas status quos negative aktuale (konflikti i ngrirë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovina jofunksionale, mangësia e legjitimitetit në Maqedoni, politikat irredentiste në Serbi) apo më keq, sekuenca e ndarjes etnike (me siguri të realizuara me dhunë) që do të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, si dhe do të gëzojë apetitet për territor të serbëve, kroatëve e shqiptarëve”, është shprehur Surroi

Shtetet fqinje, si Bullgaria dhe Greqia duke shfrytëzuar situatën e brishtë në Maqedoni, i kanë shtuar apetitet e tyre duke riaktualizuar çështjet e hapura me Shkupin Zyrtarë.

Së fundi, një grup intelektualësh bullgar i kanë dorëzuar një peticion UNESCO-s me të cilin kërkojnë që të ndërpritet përvetësimi i gjuhës, historisë dhe kulturës bullgare nga Maqedonia.

Një ton mjaftë i ashpërsuar vërehet edhe nga pala greke e cila ka vendosur vijat e kuqe për ndryshimin kushtetues të Maqedonisë. Grekët vazhdojnë të pohojnë se Maqedonia me mos ndryshimin e emrit kushtetues, hapur shpreh pretendime territoriale ndaj Greqisë.

Ndarja e Maqedonisë, nuk është diçka risi, gjatë konfliktit të 2001-shit, ish-kryeministri Lubço Georgievski pati propozuar, jo vetëm ndarje etnike të Maqedonisë, por edhe ndryshimin e kufijve në rajon. Mirëpo këto ide janë parandaluar nga bashkësia ndërkombëtare e cila është shprehur hapur se në Ballkan nuk do të ketë më ndryshim të kufijve.

NOA-INA

KOMENTE