Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qëndrimi i ri
English

Qëndrimi i ri

Europa ka konsoliduar një qëndrim të ri, të qartë dhe të unifikuar, mes Komisionit Europian dhe të dyja anëve të spektrit politikë në PE

Nga Edi Rama

Europa ka konsoliduar një qëndrim të ri, të qartë dhe të unifikuar, mes Komisionit Europian dhe të dyja anëve të spektrit politikë në PE:

Shqipëria është në krizë të thellë. Pra edhe për Europën ajo nuk është më në ngërç po në krizë të thellë. Dhe spiralja e kësaj krize është gjithnjë e më e rrezikshme për Shqipërinë. Ndërkohë që Europa pret nga Shqipëria përmbushjen e kritereve të Kopehagenit, e thënë ndryshe, shkoqur, rivendosjen e procesit politik në binarët e demokracisë. Misioni i të dërguarit të posaçëm për krizën zoti Lajçak, merr rëndësi e peshë të veçantë në kushtet kur Europa tregon qartë se kërkon zgjidhje reale, të vërtetë dhe demokratike të krizës.

Ne e vlerësojmë me shumë mirënjohje shqetësimin serioz të Europës, të Komisionit e të Parlamentit Europian, të personalisht baroneshës Ashton, ashtu siç u jemi po kaq mirënjohës edhe miqve dhe partnerëve të pazëvendësueshëm amerikanë për të njëjtin shqetësim serioz lidhur me krizën në Shqipëri. Shprehim të gjithë vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e përpjekjes së Europës për Shqipërinë. Si gjithmonë s’do të lëmë përpjekje pa bërë, në çdo drejtim të mundshëm të rrugës së arsyes, që Shqipëria të dalë nga kriza, që shqiptarët të mos vazhdojnë të paguajnë faturën përditë e më të lartë shpirtërore, ekonomike e shoqërore të kësaj krize. E cila i ka rrënjët tek zgjedhjet e vjedhura e tek kusaria e shfrenuar e këtij pushteti që reflektohet në varfërimin, papunësimin, pafuqinë blerëse të qytetarëve në kushtet e një ekonomie që sot përditë e më qartë duket se është në shkatërrim të plotë.

Duke rinënvizuar atë çka kemi thënë gjithherë, se ne nuk e kemi konsideruar kurrë si të vlefshëm opsionin e bojkotit të zgjedhjeve vendore, rinënvizoj përsëri, edhe në dritën e debatit të djeshëm në Strasburg, se për ne zgjidhja e plotë, e drejtë dhe e qëndrueshme e kësaj krize, është kthimi i partive para gjykimit të popullit me zgjedhje të reja, të lira e të ndershme. Largimi i këtij pushteti turpesh të pashembullta, që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe së fundmi vrau për të vazhduar të vjedhë, është një domosdoshmëri për të dalë nga kjo krizë varfëruese për çdo familje të zakonshme shqiptare.

Përballë regjimit vrastar të kusarisë e të gënjeshtrave ne do përdorim çdo rrugë dhe mjet demokratik për rivendosjen e demokracisë përmes zgjedhjeve të reja, të lira e të ndershme, duke vazhduar demonstratat, paqësisht por vendosmërisht, duke u ballafaquar në parlament, ku padyshim nuk do të tolerojmë asnjë dhunim të dinjitetit të opozitës, duke u ballafaquar në çdo hapësirë lirie që s’kemi ndërmend t’ia lëshojmë dhunuesve të Kushtetutës e të ligjit në pushtet.

Të premten ora 4 ne do të rikthehemi në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit” edhe në emër të atyre që u vranë në 21 janar, po edhe të atyre që janë vrarë më parë e për të cilët drejtësia s’është lënë të bëjë drejtësi. Në emër të atyre që në 21 janar u rrahën kot më kot dhe u torturuan egërsisht në Policinë e Shtetit për interesat e pushtetit. Por edhe të atyre që torturohen përditë nga vështirësitë e jetesës, nga varfëria, nga papunësia, nga çmimet e papërballueshme, duke filluar nga buka e gojës. Në emër të atyre që gënjehen dhe tallen përditë nga regjimi i kusarisë, shqiptarë të zakonshëm, socialistë a demokratë apo pa parti, të cilët edhe kur e shohin në video ndyrësinë e Koalicionit të Turpit, duhet të dëgjojnë Saliun që thotë ajo që patë s’është ajo që patë, ajo që dëgjuat s’është ajo që dëgjuat.

Kjo qeveri ka marrë fund si qeveri e Shqipërisë, është vetëm një regjim i kusarisë. Ja pse do dalim në demonstratë në 18 shkurt, pasnesër në orën 4 dhe pse do ridalim përsëri e përsëri, deri në realizimin e zgjedhjeve të reja, të lira e të ndershme.

KOMENTE