English

I riu shqiptar dënohet me 10 vjet burg për 0.5 kg hashash

Karpathos, 17 Shkurt 2011 NOA – Për gjysmë kilogrami hashash që akuzohet se mbante pranë shtëpisë, një i ri shqiptar i duhet të vuajë dhjetë vjet burgim. Dhe pasi të ketë kryer këtë dënim, do të mund të rifitojë lirinë vetëm pasi të ketë paguar edhe pesë mijë euro gjobë, në favor të shtetit grek.

Dënimin e ka marrë sot nga Gjykata e Karpathos, rajon në Greqi, emigranti shqiptar, Ferdinand Daja, 25 vjeç, me banim të përkohshëm në Greqi.

I riu u arrestua në 14 qershor të vitit të kaluar pasi në një livadh pranë banesës ku jetonte, në Karpatho, iu gjet sasia prej 490 gramë hashash të ndarë në 28 qeska.

Gjykata duke shpallur vendimin tha se mbi Ferdinand Dajën rënduan akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike

Gjatë dëshmisë në gjykatë, Ferdinand Daja mohoi që sasia e drogës të ishte e tij. Ai tha se hashashi i përkiste një 30 vjeçari shqiptar i cili e kishte sjellë drogën nga Athina për çështje të vetat.

Lidhur me 250 euro që iu sekuestruan në banesë, Ferdinand Daja tha se ato ishin pjesë e pagës së tij, tërhequr dy ditë para arrestimit dhe se nuk kishin asnjë lidhje me trafik droge që akuzohet.

n.s/NOA

KOMENTE