Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ndjeshmëria për “Gërdecin”
English

Ndjeshmëria për “Gërdecin”

Me cilësinë e Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë futem plotësisht në ndjeshmërinë e qytetarëve, që e pësuan nga kjo tragjedi, të familjarëve të viktimave

Nga Bamir Topi

Padyshim është në misionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të trajtojë dhe t’u japë zgjidhje në kohën e duhur të gjitha problemeve që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor. Dhe padyshim nuk janë pak, por besoj, ajo që e bën më impenjativ misionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është trajtimi me shumë profesionalizëm dhe me transparencë i çështjeve që kanë një ndjeshmëri të lartë publike. Gjatë një viti, në gjykatat shqiptare trajtohen rreth 80 mijë çështje, ku asnjëherë askush nuk duhet t’i ndajë në çështje të dorës së parë dhe të dorës së dytë, në çështje të rëndësishme dhe të parëndësishme, pasi e drejta e qytetarit dhe detyrimi i Gjyqësorit është që çdo çështje ta trajtojë në sensin e dhënies së drejtësisë, por, padyshim, sikurse u shpreha pak më parë, janë disa çështje që marrin një rëndësi të veçantë, bëhen objekt i diskutimeve të qytetarëve, të ndjeshmërisë së tyre, patjetër bëhen pjesë e debatit të politikës dhe futen në fokusin e interesit të jashtëzakonshëm të shoqërisë dhe të institucioneve. Këtu e kam fjalën në radhë të parë për procesin e tragjedisë së Gërdecit, ku të gjithë së bashku, herë pas here e kemi trajtuar si temë me përgjegjësitë institucionale që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë për ta monitoruar këtë proces, në mënyrë që kjo tragjedi kaq e rëndë, e cila më 15 mars mbush 3-vjetorin e vet, të trajtohet në mënyrë shumë të ndershme, shumë profesionale, shumë efikase, që të jepet drejtësi. Unë e di fare mirë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por edhe Ministria e Drejtësisë kanë pasur preokupacionin e duhur dhe në takime të mëparshme është rënë dakord që Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë të punojnë bashkarisht për të inspektuar gjykatat shqiptare në tërësi. Është punuar dhe po vazhdohet të punohet, dhe patjetër në fokus ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe çështja e Gërdecit. Me cilësinë e Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë futem plotësisht në ndjeshmërinë e qytetarëve, që e pësuan nga kjo tragjedi, të familjarëve të viktimave. Dhe patjetër sjell në vëmendjen tuaj edhe njëherë atë apel që e kemi dhënë në vazhdimësi për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera, por duke e kualifikuar këtë çështje, sikurse thashë të një ndjeshmërie të veçantë, edhe impenjimi është dhe duhet të jetë i veçantë. Unë e kam vlerësuar dhe gatishmërinë e çdo anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrit të Drejtësisë, për ta risjellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë këtë çështje, për ta parë dhe ta trajtuar atë në mënyrë shumë analitike, mbi bazën e inspektimeve që janë bërë. Unë padyshim që do ta ndjek së bashku me ju, edhe sot gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe në pritje të një inspektimi të plotë, për të parë të gjitha procedurat që janë realizuar, për t’i parë ato sa kompatibël kanë qenë me ligjin, sa kompatibël kanë qenë me moralin dhe integritetin e gjyqtarëve, dhe kjo nuk është një çështje e një trajtimi personal, individual. Kjo është një çështje e një trajtimi ligjor institucional, dhe kush më shumë se sa Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili në këtë çështje, së bashku me Inspektoriatet, sikurse thashë, janë të gjithë të motivuar, të mund ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të drejtë dhe shumë të ndershme dhe profesionale. ***

Nuk është vetëm çështja e Gërdecit, sigurisht janë dhe çështje të tjera, me të cilat i tërë sistemi i drejtësisë dhe kur them i tërë sistemi i drejtësisë, nuk kam parasysh këtu vetëm gjykatat. Duhet kuptuar që shteti i së drejtës nuk funksionon në mënyrë të segmentuar, sikurse për fat të keq shfaqet herë mbas here kjo lloj shfaqje klinike, do të thoja, sepse për të realizuar të drejtën, për të dhënë një vendim të drejtë, çështja fillon tek organi i akuzës, i cili domosdoshmërisht duhet të punojë në mënyrë shumë profesionale dhe të ndershme edhe me Policinë Gjyqësore! Vazhdon pastaj me të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor, i cili detyrimisht në një shtet demokratik duhet të funksionojë si një i tërë dhe për të gjitha çështjet të funksionojë me një metodikë të qartë, që më mirë se unë, e dini ju. Pra, në asnjë lloj rrethane, në shtetin e së drejtës, në një shtet të konsoliduar demokratik, gjërat nuk duhet të funksionojnë me standarde të dyfishta, edhe për çështje të njëjta. Kemi vënë re, e kam dëgjuar dhe prej jush, për çështje të ndryshme, në larminë e jashtëzakonshme të problemeve që ka gjyqësori, çështje të caktuara që mund të kenë të njëjtën filozofi, të njëjtën pamje, zgjidhen me standarde të dyfishta.

Kjo nuk është e përgjithshme sigurisht, por këto janë episode, të cilat duhet të jenë në vëmendjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ky autoritet suprem do të thoja për gjykatat shqiptare, të jetë me një autoritet të plotë, të jetë koshient për detyrën e tij, për situatën mjaft të larmishme të ngjarjeve, kur kërkohet mbi të gjitha që të respektohet Kushtetuta, të respektohet ligji, të respektohen institucionet, nuk mjafton të them që institucionet duhet të jenë të pavarura. Ky është kusht bazë, por pavarësinë institucionit, këtë ia jep edhe integriteti, ia jep edhe profesionalizmi, ia jep edhe bashkëpunimi, sepse struktura qëndron e lidhur kur ka bashkëpunim. Nuk mund të thuhet që Prokuroria e dha, Gjykata nuk e pa të arsyeshme. Natyrisht kështu funksionon shteti i së drejtës, por jo pa bashkëpunim. Në fund fare, ata që japin drejtësinë definitive, finale, janë gjykatat, por duhet një bashkëpunim shumë organik dhe ky bashkëpunim është në funksion të të drejtës së qytetarit, të çdo individi, të çdo institucioni, për të marrë atë që i takon. Çështjet, të cilat ne na përballin me gjyqësorin janë të shumta, janë nga çështje fare personale, çështje, të cilat kalojnë në interesat e grupeve të caktuara, çështjet e institucioneve, por drejtësia mbetet “Një për gjithçka”. Prandaj, e ripërsëris, çdo çështje në gjyqësor, kudo, në tërë territorin ku shtrihen gjykatat, duhet të mos trajtohen si çështje qendrore apo periferike. Çështjet duhet të trajtohen në standarde. Fatmirësisht, ne sot nuk jemi të paasistuar. Unë kam rastin edhe njëherë të vlerësoj dhe të falenderoj misionin e Bashkimit Evropian, misionin “EURALIUS”, që e ndjek hap mbas hapi, qoftë reformën gjyqësore, por edhe asistencën për Këshillin e Lartë të Drejtësisë! Sot ne kemi edhe një element tjetër që na lidh me punën e ekspertëve të Bashkimit Evropian për një kriter të ri, që është paraqitur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për t’u përmirësuar, që ka të bëjë me përmirësimin e punës në transparencën dhe në efikasitetin e emërimit të gjyqtarëve të rinj apo të gjyqtarëve që promovohen. Ky lloj bashkëpunimi i jep shansin Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të jetë plotësisht në standardet e vendeve të Bashkimit Evropian. ***

Një moment tjetër shumë i rëndësishëm që lidhet me një sensibilitet të shprehur kohë mbas kohe, por ende të parealizuar, është çështja e imunitetit. Jemi në këtë tavolinë dhe patjetër po diskutojmë për imunitetin e gjyqtarëve. Janë bërë shumë apele kohë mbas kohe. Patjetër duhet të ndajmë të gjithë disponibilitetin që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjyqtarët, por kjo nuk duhet të mbetet thjesht në shprehjen e gatishmërisë, por duhet të institucionalizohet! Kështu që unë ju bëj thirrje, zoti Spahiu, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të shprehet haptas për këtë! Në një shoqëri të hapur, në një shoqëri që duhet të shkojë në modelet e vendeve të Bashkimit Evropian, imuniteti është i pavlefshëm. Kjo do të bëjë të mundur që çdo qytetar i thjeshtë, i cili është pa imunitet, të shikojë tek njerëzit që monitorojnë dhe drejtojnë sistemin e drejtësisë, që ata që i drejtojnë, janë njësoj si ata, në mënyrë që imuniteti të mos jetë korracë për të mbrojtur cilindo nga një proces, ku ai mund të jetë i përfshirë direkt apo indirekt. Kështu që ju bëj thirrje, të nderuar anëtarë të KLD-së, që së bashku me trupën gjyqësore, por edhe me Shoqatën e Gjyqtarëve, të gjeni jo vetëm predispozicionin, por dhe të institucionalizohet, në mënyrë që të shprehet gatishmëria dhe t’i çohet Kuvendit të Shqipërisë, në mënyrë që parlamentarët të vendosin edhe për këtë gjë, që konsiderohet shumë e rëndësishme, që nga fjalët, nga ky lloj predispozicioni, kjo lloj gatishmërie, të kalohet në gjëra të sanksionuara me ligj! Kjo do ta çlironte gjyqësorin absolutisht, do të çlironte marrëdhëniet, do të bënte që ne të vepronim më drejtpërdrejt, për të bërë dhe transparencën e punës së çdo gjyqtari që vjen dhe paraqitet këtu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për probleme, të cilat Inspektoriati i ka nxjerrë në dritë. Kjo do ta bënte punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë më të zhdërvjelltë, punën e gjykatave më të zhdërvjelltë, dhe besoj do të ishte më afër problemeve dhe jetës së qytetarit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me të gjitha strukturat që kanë të bëjnë me Inspektoriatin, por dhe gjykatat, patjetër janë përballë sfidash të vështira. Janë sfida të kohës, ku i duhet dhe do t’i duhet të tregojë jo vetëm transparencën, por profesionalizëm dhe integritet, që do të duhet të trajtojë përveç çështjeve të tjera, dhe çështje të korrupsionit, dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë shumë, shumë, shumë të motivuar. Nuk mund të ketë klasifikime, korrupsioni i vogël apo i madh, por kjo çështje duhet të trajtohet sipas të gjitha dispozitave dhe me shumë ndershmëri dhe paanësi. *Fjala e presidentit topi në mbledhjen e radhës së këshillit të lartë të drejtësisë

KOMENTE