Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqiponjat u kthyen në atdhe
English

Shqiponjat u kthyen në atdhe

“Për herë të parë në historinë e Shtetit Shqiptar u dërguan trupa ushtarake, një kontigjent prej 44 ushtarakësh në një mision luftarak në Kandahar të Afganistanit. Ju, Kontigjenti i Forcave Speciale “EAGLE 1” e përfunduat me sukses të plotë misionin në bashkëveprim të ngushtë me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e dorëzuar vijimin e tij tek kontigjenti tjetër shqiptar, “EAGLE 2”.

Nga Bamir Topi*

Jam shumë i gëzuar dhe njëkohësisht i privilegjuar t’ju përshëndes në këtë ceremoni zyrtare që shënon përfundimin e misionit tuaj fisnik! Shqiponjat e para u kthyen në atdhe me ballin lart pas një rrugëtimi të gjatë e të vështirë dhe kthimi juaj shëndoshë e mirë është padyshim një kënaqësi e madhe për familjet tuaja dhe të gjithë ne, sepse përmbushja e suksesshme e misionit tuaj, sot është shndërruar në një krenari të pamatë për të gjithë shqiptarët.

Takimi me ju në këtë kthim triumfator është një takim emocional jo thjesht me ushtarët tanë, por me fitimtarët, me misionarët e lirisë, demokracisë e paqes. Ju po vini nga një terren i vështirë luftimi, ku jeni përballur me sukses me forcat e së keqes, por jeni kthyer duke valëvitur me krenari flamurin e shpresës dhe të paqes. Keni luftuar me trimëri kundër talibanëve në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, pa u ligështuar dhe pa ju trembur syri për asnjë çast. I keni treguar e provuar mbarë botës, miqve dhe aleatëve tanë strategjike se ç’janë të zotët të bëjnë shqiptarët për të tjerët, por edhe për veten, duke dhënë një shembull të vyer e moral trimërie dhe sakrificash, humanizmi dhe vullneti për çdo bashkëkombas.

Ushtarakët tanë trima dhe veçanërisht ju, keni bërë të mundur ndër vite që bashkëpunimi i Shqipërisë me aleatët që prej vitit 1995, kur trupat e para shqiptare morën pjesë në misionet ndërkombëtare në mbrojtje të paqes, të shndërrohet në një histori suksesi dhe integrimi. Krenaria juaj dhe e jona njëkohësisht është pjesë e pandarë e ushtarakëve dhe e ushtrisë sonë, por sot më shumë se kurrë ato duhet të jenë të tilla, sepse ne rreshtohemi denjësisht në Aleancën e madhe të lirisë dhe paqes: në NATO, duke u përballuar me përgjegjshmëri me të gjitha sfidat dhe standardet që ky angazhim kërkon.

Performanca juaj gjatë kësaj kohe është konkretizimi i fitores sonë të madhe: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është edhe arritja juaj e madhe, është arritja e mbarë kombit shqiptar, është kalimi në modernitet dhe në një epokë të re të Ushtrisë Shqiptare.

Me mijëra trupa ushtarake shqiptare kanë shërbyer që prej asaj periudhe në disa vende, që u përkasin kontinenteve të ndryshme: në Bosnje, në Irak, në Çad, në Afganistan, etj. Duke u përballuar me sfida të mëdha e në të njëjtën kohë, duke prezantuar aspiratat më të mira të një kombi që di të mësojë nga historia e tij, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë demonstruar rolin dhe profilin e ri të vendit tonë anembanë botës.

Në vitin 2010 Shqipëria bëri një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të pjesëmarrjes me trupa në misionet e drejtuara nga NATO. Për herë të parë në historinë e Shtetit Shqiptar u dërguan trupa ushtarake, një kontigjent prej 44 ushtarakësh në një mision luftarak në Kandahar të Afganistanit. Ju, Kontigjenti i Forcave Speciale “EAGLE 1” e përfunduat me sukses të plotë misionin në bashkëveprim të ngushtë me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e dorëzuar vijimin e tij tek kontigjenti tjetër shqiptar, “EAGLE 2”.

. Vlerësime të shkëlqyera janë bërë në adresë të këtij kontigjenti, ashtu sikundër në adresë të kontigjenteve të tjera ushtarake shqiptare nga ana e drejtuesve më të lartë të Forcave Aleate në Afganistan. Këto vlerësime i japin çdo shqiptari të drejtën të ndihet krenar dhe i sigurt për kontributin që jep Shqipëria përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s në ndihmë të popullit afgan.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet jashtë vendit përbën padyshim një ndër angazhimet më të mëdha politike dhe ushtarake të vendit në skenën botërore të politikës dhe të sigurisë globale. Këto misione kanë kontribuar jo vetëm në interes të rritjes së sigurisë së përgjithshme, por edhe të paqes globale. Ato njëkohësisht kanë kontribuar në përcjelljen e të vërtetës së madhe për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ushtarakët tanë kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në krijimin e përshtypjes së vërtetë për vendin dhe për veten e tyre në sy të mijëra e mijëra ushtarakëve nga e gjithë bota. Plotësimi dhe përsosja e këtij imazhi pozitiv është edhe fryt i përpjekjeve, i profesionalizmit, përgjegjësisë, disiplinës dhe herozimit tuaj të sprovuar.

Ka qenë ky kontribut i çdo ushtaraku dhe ky imazh i ndërtuar nga të gjithë, ka luajtur një rol themelor në krijim e bindjes së plotë mes vendeve të tjera anëtare të NATO-s për pjekurinë e vendit për anëtarësim në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë.

Përveç se kanë asistuar dhe mbrojtur të tjerët, ushtarakët shqiptarë kanë ndihmuar veten dhe Forcat e Armatosura përmes misioneve të kryera, pasi duke i përmbushur me sukses dhe përpikmëri detyrat ushtarake, ata janë rritur ndjeshëm profesionalisht, kanë përvetësuar shumë dhe janë përafruar denjësisht me standardet më të larta të NATO-s.

Ne jemi mëse të bindur që orientimi euro-atlantik do të jetë rrugëtimi edhe i të gjitha vendeve të rajonit ballkanik, përfshirë këtu edhe aspiratën e thellë të popullsisë së shtetit të ri të Kosovës, që pikërisht sot është në festë. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes në mënyrë të veçantë përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës! 17 shkurti i vitit 2008 përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e Kosovës si shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe i orientuar në mënyrë të palëkundur drejt rrugëtimit të tij të qartë euro-atlantik. Kjo datë do të mbetet e gdhendur jo vetëm në historinë e Kosovës, por dhe të mbarë kombit shqiptar si një pikë kulmore reference, që do t’u tregohet me krenari e do t’u mësohet brezave të ardhshëm të shqiptarëve.

Nga kontaktet frekuente institucionale me shumë faktorë politikë, me mjaft personazhe të rëndësishme të politikës botërore, me përfaqësues të lartë të vendeve mike dhe aleate si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, anëtarë të NATO-s dhe më gjerë, kemi shprehur jo vetëm mirënjohjen tonë të thellë, por edhe kemi përgëzuar institucionet e Kosovës si dhe vlerësuar ritmin e përshpejtuar drejt ndërtimit të një shteti multi-etnik me standarde bashkëkohore, standarde që janë të unifikuara si në Shqipëri, ashtu edhe në Bruksel, ku patjetër do të jetë edhe pikë-bashkimi ynë i ardhshëm me Kosovën, por me qëllim integrimin në familjen euro-atlantike.

Edhe njëherë, me cilësinë e Kreut të Shtetit si dhe të Komandantit të Përgjithshëm, edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, duke ju uruar shëndet dhe suksese të mëtejshme, ju përgëzoj sinqerisht për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat tuaja fisnike! Ju përgëzoj!

*Fjala përshëndetëse e Presidentit në ceremoninë e dekorimit të kontingjentit paqeruajtës shqiptarë i kthyer nga Afganistani, “Shqiponja 1”

KOMENTE