English

Dom Nikollë Kaçorri, tribuni i Shqipërisë

"Ishte rasti që shteti shqiptar të shtronte “qilimin e kuq”, të rreshtonte truprojën e nderit, ta shoqëronte me marsh funebër pritjen në tokën e tij Nikollë Kaçorrin, pse jo ta ulte në gjysmë shtize Flamurin Kombëtar, atë simbol që ai e mbajti mbështjellë pas trupit për 94 vjet..."

Nga Abdurahim Ashiku

Nikollë Kaçorri lindi në Krej – Lurë në vitin 1862...Kush ka udhëtuar drejt Lurës, pasi ka kaluar Kurbneshin dhe Mërkurthin, qafën që ndanë Dibrën me Mirditën, nuk ka se si të mos jetë befasuar me ato livadhe në prehër të maleve, me pyjet e pishës, bredhit dhe arnenit, me blegërimën e deleve dhe qengjave në kullotë e këngët e thëllëzave labirinteve të barit në lulëzim, me Krejë – Lurën, lulen e bukur në tufën e lulefshatrave me emër të përveçëm e mbiemër të njëjtë: Krej – Lurë, Fushë – Lurë, Pregj – Lurë, Borie – Lurë, Gurë – Lurë...

Këtu e kaloi fëmijërinë Nikollë Kaçorri, midis Kaçorrëve të vjetër e të rinj, fisi më i madh i Krej – Lurës, e kaloi në gjirin e Luginës së thepisur të Mallës, lumë që mjel gjinjtë e liqeneve të Lurës lart maleve, Zabelit të Nikës mbushur me tregime e legjenda, Shkëmbit të Kuq që i qëndron fshatit si shpatull e Pregj – Lurës si monument, Bjeshkës së Lugjeve në zemër të së cilës sa herë flladiti ballin me ujin e burimit të ftohtë...

Një fotografi midis “kaçorrëve” dhe të tjerë të Krej – Lurës më ka ardhur mes relikteve të kohës së shkuar deri këtu në emigracion. Një “natyrë e qetë” me Krej - Lurën në një prag mbrëmjeje është pranë e pranë.

Nuk e gjeta fotografinë e lapidarit, anës rrugës e ballëpërballë fshatit, nderim për Nikollë Kaçorrin. Nuk e gjeta as fotografinë me tabelën e madhe ku shkruhej “Shkolla 8-vjeçare Dom Nikollë Kaçorri”...

Nikollë Kaçorri i takon Krej - Lurës, Lurës mbarë. Është vendlindja e tij, janë rrënjët e tij, është dashuria e parë e madhe që do ta udhëhiqte drejt dashurisë së dashurive, Dashurisë për Shqipërinë.

Jeta e solli që Nikolla i vogël të merrte rrugën e studimeve teologjike, të merrte titullin “Dom”, “Imzot”, të quhej Dom Nikollë Kaçorri, të thërritej Imzot Kaçorri...

Jeta e solli që Nikollë Kaçorri të veshte për tërë jetën kostumin e klerikut...Shpirti atdhetar, kultura e gjerë, bëri që Nikollë Kaçorri të ishte një tribun i vërtetë i Shqipërisë...

Nikollë Kaçorri ishte zë i veçantë në Kongresin e Manastirit (nr. 3 në fotografinë e kongresistëve), Kongres i cili hodhi themelet e shkrimit të Gjuhës Shqipe. Pjesëmarrja e tij është tepër domethënëse, flet thellë, shumë thellë...

Nikollë Kaçorri ishte pjesë e Kongresit të Elbasanit. Një tjetër domethënie e madhe në vlerën e tij atdhetare...

Nikollë Kaçorri ishte Nënkryetari i Qeverisë së Parë të Shqipërisë, ishte krahu më i shëndoshë i Ismail Qemalit...

Këto tri vlera e “zhveshin” Nikollë Kaçorrin nga kostumi i klerikut për ti veshur “Kostumin e Atdhetarit”...

Nga sa kam lexuar për Dom Nikollë Kaçorrin, biografët nuk na japin vlera të veçanta teologjike. Ata të gjithë, pa përjashtim, ndalen tek vlerat e tij Atdhetare e ndihmesa e jashtëzakonshme në formimin e shtetit të parë shqiptar, vlerën e madhe të NËNKRYETARIT të Qeverisë së Vlorës...

Parë me këtë sy Nikollë Kaçorri, përpara se ti takojë kishës katolike si Dom Nikollë Kaçorri, i takon Shqipërisë si Atdhetar, pushtetar e shtetar, si anëtar i Kuvendit të Vlorës, si Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës...

Pse i veçoj këto anë të jetës dhe veprimtarisë së Nikollë Kaçorrit?

I veçoj për të thënë se varrosja e Nikollë Kaçorrit “në altarin e Kishës "Shën Luçia", ku ai shërbeu për 24 vjet,” nuk duhet të ndodhte.

Dy vende do ti bënin nder dhe lavdi varrosjes së eshtrave të Nikollë Kaçorrit.

Nderi i parë i takon vendlindjes, Krej – Lurës. Një varr monumental në Krej – Lurë do ti jepte figurës së Nikollë Kaçorrit përmasa ndërkombëtare. Turistët e së ardhmes në rrugëtimet drejt bukurive të fshatrave, livadheve, pyjeve dhe liqeneve të Lurës, një varr monumental i Nikollë Kaçorrit do tu fliste më shumë se volume të tërë historie, do tu fliste më shumë se njëmijë leksione të tolerancës fetare, karakteristike në marrëdhëniet midis katolikëve dhe myslimanëve në trevën e Lurës. Njerëzit e mëdhenj kanë gjetur prehje dhe lavdi në vendlindje.

Nderi i dytë i takon Vlorës. Një kompleks monumental ku të vihen bashkë, pranë e pranë, eshtrat e Ismail Qemalit, Dom Nikollë Kaçorrit, Isa Boletinit, Vehbi Dibrës (Agollit) dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë së Vlorës, do të ishte një muze i gjallë i historisë së Shqipërisë së Pavarur, muze që do ti fliste botës mbarë.

Hulumtohet se “petku i klerikut katolik”, nën diktaturë, e zbehu figurën e Dom Nikoll Kaçorrit, e ngushtoi në një urdhër për veprimtari patriotike e me ndonjë lapidar apo emër shkolle në vendlindje.

Pyes: Pse u hesht për Nënkryetarin e Qeverisë së Vlorës Dom Nikollë Kaçorrin gjatë regjimit monarkik të Ahmet Zogut?

Pyes: Pse Vatikani me shtrirje të fortë në Austri, nuk u kujdes që të paktën të vendoste një rrasë të madhe mbi varrin e këtij Shenjti të katolicizmit me mbishkrimin “Këtu prehet Dom Nikollë Kaçorri” por për 94 vjet e la në harresë të plotë ?

Pyes: Pse gjatë këtyre 20 vjetëve demokraci nuk u bë asnjë hap për të gjetur dhe sjellë në Shqipëri eshtrat e këtij Shenjti dhe Atdhetari të madh në rrugë institucionale, shtetërore?

Dom Nikollë Kaçorri, vepra e madhe Atdhetare e tij, u la në harresë të plotë nga shteti shqiptar.

Eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit i gjetën dhe i sollën në Atdhe njerëz me zemër të madhe.

Ishte prifti kosovar Dom Pren Kola, që shërben për besimtarët katolikë të Kosovës në Vjenë, i cili mundi të identifikojë varrin e Dom Nikollë Kaçorrit...

Përpjekjet e priftit kosovar në Vjenë nuk qenë të lehta. Atij ju desh të kërkojë me ngulm për tre vjet radhazi ndër dokumentet e Bashkisë së kryeqytetit austriak, së bashku me të afërmit e tij.

Imzot Damian Kurtit thotë se Dom Nikollë Kaçorri nuk i përket vetëm famullisë katolike "Shën Luçia" të Durrësit...

...Duhej që të çlirohej Kosova, duhej që ajo të bëhej Republika e dytë shqiptare në Ballkan, Evropë dhe Botë, duhej që Dom Pren Kola të kërkonte me dashuri e durim atdhetari që Dom Nikollë Kaçorri të kthehej në Atdhe përgjithmonë.

Shteti shqiptar duhet të kërkojë ndjesë publike për indiferentizmin e tij ndaj Nënkryetarit të Parë të Qeverisë Shqiptare.

Sali Berisha nuk duhej të shkonte në ceremoninë kishtare në famullinë katolike “Shën Luçia” të Durrësit.

Sali Berisha nuk kishte pse të fliste në atë tubim paqësor fetar. Sali Berisha nuk kishte pse të bënte halucinacione politike mbi arkivolin me eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit.

Shoqëruesit e kryeministrit shqiptar nuk kishte pse të duartrokisnin fjalët e mbrapshta të Sali Berishës.

Shteti shqiptar duhet ta kishte pritur Dom Nikollë Kaçorrin në aeroportin “Nënë Tereza”, ta kishte pritur me tërë protokollin e tij shtetëror, që nga Presidenti, Kryeministri dhe gjithë të tjerët. Për turp të botës arkivoli me eshtrat e Nënkryetarit të Shtetit të Parë Shqiptar nuk u vendosën mbi ndonjë shtrat topi, por mbi shtrat të një karroce të zakonshme mallrash udhëtarësh.

Ishte rasti që shteti shqiptar të shtronte “qilimin e kuq”, të rreshtonte truprojën e nderit, ta shoqëronte me marsh funebër pritjen në tokën e tij Nikollë Kaçorrin, pse jo ta ulte në gjysmë shtize Flamurin Kombëtar, atë simbol që ai e mbajti mbështjellë pas trupit për 94 vjet...

Thashë që Nikollë Kaçorri duhet të varrosej në Krej – Lurë...

Thashë që Dom Nikollë Kaçorri duhej të varrosej në Vlorë...

I tërheq.

Pushtetarët dhe shtetarët shqiptarë nuk i bënë nderë Dom Nikollë Kaçorrit, nuk i dhanë një copë truall për tu prehur eshtrat dhe shpirti i Nënkryeministrit të Parë, të Qeverisë së Parë të Shqipërisë së Pavarur

Nderin e madh Dom Nikollë Kaçorrit ia bënë klerikët, kolegët e tij të një shekulli më vonë. Midis tyre ai është më ngrohtë. I lehtë i qoftë Dheu i Atdheut Dom Nikollë Kaçorrit, Dheu i truallit të famullisë “Shën Luçia” të Durrësit.

Athinë 16 shkurt 2011

KOMENTE